Takaj: I ndezëm “motorët”, Kukësi të hapë “krahun”

0

 

Pas kalimit të skuadrës së tij në gjysmëfinale, presidenti është dukur në delir: “Ishte thjesht një “nxemje”, Kukësi të bëhet gati për humbje të hënën”

Skënderbeu ka mposhtur Flamurtarin me tre gola të shënuar dhe fitorja dhe kalimi më tej në Kupën e Shqipërisë e kanë gëzuar pa masë presidentin Ardjan Takaj. Jo vetëm “bosi” i korçarëve, por

të gjithë në qytetin juglindor, pas kësaj fitoreje, kanë deklaruar se të hënën do të jetë Kukësi, që do të provojë forcën e vërtetë të kampionëve: “Kjo fitore është sinjali se ne i kemi ndezur “motorët”. Kukësi, nëse i di rregullat, bën mirë të hapë krahun.” Kjo ka qenë batuta e djeshme e presidentit të kampionëve, që do të pasohet nga të tjera deri të hënën, ku do të zhvillohet superndeshja me Kukësin. Për “Sport Ekspres”, pas përfundimit ndeshjes, presidenti Takaj dhënë këtë intervistë:

– Takaj, si do ta komentonit kualifikimi ndaj Flamurtarit?

– Nuk mund ta them se ishte e lehtë, pasi, në fund të fundit, futboll është dhe edhe mund ta pësosh në çdo moment. Gjithsesi, fitorja është e pastër, me 3 gola, ndërkohë që duhet të pranoj se na favorizoi barazimi 1-1 në Vlorë.

– Përpara takimit, a patët frikë se mos përsëritej historia e vjetshme, kur vlonjatët ju eliminuan?

– Historitë përsëriten dhe mendova se mund të ndodhte ajo e vjetshmja, por luajtëm me kujdes dhe e administruam mirë takimin. Kualifikimi ishte plotësisht i merituar.

– Duke lënë pas Kupën, të hënën është kryendeshja e javës së 23-të me Kukësin…

– Fitorja ndaj Flamurtarit dha sinjalin, që Skënderbeu i ka “ndezur motorët”. Kukësi, nëse i di rregullat, bën mirë të hapë krahun.

– Çfarë doni të thoni me këtë shprehje?

– Asgjë tjetër, përveç asaj se do të shtojmë 3 pikë të tjera në tabelën e renditjes. Nëse do të kishte më shumë pikë një fitore, patjetër që do t’i merrnim të gjitha. Kukësi mirë se të vijë në Korçë dhe e hëna nuk është larg.

– Keni një mesazh për lojtarët tuaj përpara kësaj ndeshjeje dhe sa ndikon mungesa e Shkëmbit?

– Lojtarët duhet të jenë sa më të qetë dhe jam i bindur se ata do ta bëjnë një gjë të tillë. Luajmë në shtëpi dhe nuk ka alternativë tjetër veç fitores. Shkëmbi është mungesë e madhe, pasi është kapiteni, por nuk dua asnjë justifikim. Fiton Skënderbeu.

– Së fundi, diçka për sportdashësit për ndeshjen e radhës?

– Të jenë sa më të shumtë, çfarë mund të them më shumë. Nëse ka ditë, që duhet të jenë të gjithë në stadium, është e hëna. Eshtë momenti, që të gjithë të jemi bashkë, pasi kampionët e kanë vendin vetëm në majë.

Josa: Bëmë thjesht detyrën, jemi në katërshe

Ka qenë entuziast për kalimin në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë trajneri Mirel Josa. Ai ishte i qetë pas barazimit 1-1 në Vlorë dhe dje e cilësonte “detyrë shtëpie” kalimin më tej. Në sallën e konferencave për shtyp, trajneri Josa ka deklaruar: “Dua të them se bëmë thjesht detyrën në këtë ndeshje kthimi. Normalisht, e kishim vlerësuar maksimalisht, pasi Flamurtari kishte si objektiv vetëm Kupën për të shpëtuar sezonin. Rezultati i ndeshjes së parë, 1-1, na favorizoi. Ndeshja u vendos nga momente të veçanta, sidomos në pjesën e parë. E shënuam golin e avantazhit me vonesë, ndërkohë, nëse do të pësonim, do të vështirësohej kualifikimi. Gjithsesi, ishte një ndeshje e luftuar dhe në pjesën e dytë punuam mirë, por duhet të ishim më efikasë edhe pas 2-0. Pas dy golave sikur “fjetëm” dhe kujtuam se gjithçka përfundoi. Goli i vlonjatëve na vuri në vështirësi, por eksperienca e Shkëmbit, me atë gol të shkëlqyer, na çoi në 3-1. Pas kalimit në gjysmëfinale ekipi duhet të çlodhet. Ndeshja na la një problem me Nimagën, i cili pësoi një kontraktim. Për Kukësin

do të flas vetëm kur të kem mbyllur grupin, pra në prag të saj. Sapo kaluam në gjysmëfinale dhe ky është një sukses”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

http://sportekspres.com/wp-content/uploads/2019/02/fotoblinibilta.jpeg