Takaj: Humbëm nga gabimet tona, vendi i 2-të s’është tabu

0

Menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj, thekson se ekipi është më i fortë nga sa u pa në Kiev dhe pret rezultate më të mira në vazhdim

Leonard Trebicka

Skënderbeu tregoi veten në Kiev, përballë Dinamos, duke zhvilluar një pjesë të parë shumë të mirë, por më pas u duk diferenca e madhe mes futbollit shqiptar dhe atij ukrainas. Gjithsesi, Skënderbe luajti një ndeshje të mirë dhe arriti të shënonte në Kiev, në ndeshjen e parë në Grupin B të Europa League. Dje, 24 orë pas humbjes me Dinamon e Kievit, ka folur për “Sport Ekspres” Gerhard Takaj, i cili jep mendimin e tij për arsyet e humbjes, forcën e ekipit, dëshirën e madhe për vendin e dytë dhe për kampionatin.

HUMBJA – Menaxheri Gerhard Takaj ka folur fillimisht për humbjen e  Kievit: “Personalisht, mendoj se duhej të bënim shumë kujdes në atë 45-minutësh të pjesës së dytë, nuk duhet t’ia dhuronim  fitoren kundërshtarit. Gabimet tona na nxorën me humbje nga Ukraina. Gjithsesi, e dinim shumë mirë forcën e Dinamos së Kievit. Goli i dytë dhe i tretë që pësuam, erdhën për gabimet tona, gabime që me pak kujdes mund t’i kishim shmangur. Pavarësisht kësaj, mendoj se jemi ekip, që nuk na frikëson asnjë kundërshtar, sado emër të ketë. Do të kërkojmë deri në fund të fazës në grupe të arrijmë rezultate sa më pozitive.”

PËRMBYSJA – Të gjithë duan të dinë çfarë ndodhi me Skënderbeun në ato pak minuta të Pjesës së dytë. Gerhard Takaj e ka edhe me fatin: “Në fakt, nuk vumë re asgjë të veçantë në dhomat e zhveshjes në pushim. Futbollistët mund t’i ketë kapur euforia për të shënuar sërish dhe kjo solli ndëshkimin. Mendoj që skuadra në atë moment nuk ishte e vëmendshme dhe nuk bëri detyrën. Gjithsesi, jam i bindur se Skënderbeu është shumë më i rrezikshëm dhe më i fortë se ai i ndeshjes së Kievit. Këtë do ta tregojnë në ndeshjet në vijim”.

GRUPI B – Në ndeshjen tjetër të grupit B mes Jang Bojs dhe Partizanit të Beogradit, gjithçka u mbyll në barazimin 1-1, rezultat që ndoshta favorizon Skënderbeun. Takaj beson shumë se Skënderbeu ka shanse për vendin e dytë, që të çon më tej: “Barazimi mes Jong Bojs dhe Partizanit të Beogradit është favorizues, pasi çdo barazim i kundërshtarëve na favorizon. Këtë e them, nëse ne marrim pikë në ndeshjet tona. Vendi i dytë në grup është i vështirë, e dimë fort mirë, por jo i parealizueshëm. Duhet ta besojë më shumë, pasi kur jemi në 100%-shin tonë, luajmë futboll të barabartë me kundërshtarët tanë.”

KAMPIONATI – Pas ndeshjes në Kiev, Skënderbeu duhet ta kthejë vëmendjen te kampionati, pasi të hënën luan transfertën ndaj Kamzës. Për këtë ndeshje dhe objektivat e kampionatit, Takaj shprehet: “Kampionati është parësor dhe nuk duhet të falim asnjë ndeshje. Skënderbeu ka si objektiv rikthimin te titulli kampion dhe nuk e diskutojmë se do t’ia dalim, prandaj të kthehemi me “këmbë në tokë” sa herë luajmë edhe në Superligë. Në Kamzë do të luajmë për fitore”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here