Takaj “hap thesin”, 100 mijë euro premio

0

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri, ndërkohë që ka disa ditë që ndodhet larg skuadrës së tij dhe kjo ndodhi që pas përfundimit të ndeshjes me Sant Julia në Andorrë. “Bosi” i kampionëve, së bashku me stafin e tij, ishte me skuadrën deri në momentin që Skënderbeu u kthye në Stamboll të shtunën e kaluar. Më pas preferoi që të kthehej në Shqipëri bashkë me të tjerët. Padiskutim që ky kthim në Tiranë kishte të bënte me punët e tij private, por edhe me merkaton, pasi pritet që të ketë edhe një tjetër goditje të fundit te Skënderbeu.

Sipas burimeve pranë presidentit Takaj, bëhet e ditur se sot që në orët e para të mëngjesit, ai së bashku me zëvendëspresidentin Arlind Boshku, menaxherin e përgjithshëm Gerhard Takaj, drejtori sportiv Haris Fakiç, por edhe të tjerë, do të udhëtojnë drejt Kazakistanit për të qenë rreth mesditës në hotelin ku është akomoduar skuadra bardhekuqe. Mësohet se sot në mbrëmje “bosi” i Skënderbeut do të marrë pjesë edhe në analizën e fundit që do të zhvillojë skuadra në hotelin “Ramada Plaza”, ndërkohë që Takaj ka disa fjalë të fundit për t’u thënë të tijve. Burime pranë presidencës korçare bëjnë me dije se Takaj ka gati premion për t’ua bërë të ditur të tijve në rast kualifikimi dhe ajo do të jetë rreth 100 mijë euro. Një shifër e lartë në fakt, por që te Skënderbeu janë mësuar me shumë të tilla, madje edhe disa herë më të larta.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.