Takaj do fat, premtimi: Bëjmë një goditje ”blic”

Menaxheri i Skënderbeut zbulon se klubi po punon që të afrojë një super lojtar, ndërkohë që flet edhe për ndeshjen e parë më Kairat Almatin

Leonard Trebicka

Pavarësisht koeficientit të lartë të vështirësisë për të kaluar më tej në raundin e tretë të Europa League, te Skënderbeu shpresojnë shumë që do t’ia dalin. Përveç besimit të madh, gazeta “Sport Ekspres” zbulon se në orët në vazhdim pritet të ketë edhe një tjetër goditje të bujshme te bardhekuqtë, por në klub duan ta bëjnë surprizë, duke mbajtur sekret. Një ditë përpara ndeshjes së të enjtes pritet që të mbyllen edhe federimet në UEFA, ndaj deri nesër në mbrëmje korçarët kanë shansin e madh që ta bëjnë atë “goditje blic”, siç e cilësojnë edhe vetë drejtuesit. Një lajm të tillë e ka zbuluar enkas për gazetën menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj, i cili dje ka folur si për përballjen ndaj Kairatit, por edhe për blerjen e fundit, që mezi e presin të gjithë. Kujtojmë që menaxheri Takaj ka qenë ai që ka drejtuar merkaton e skuadrës në prag të ndeshjeve në Europa League dhe tani përgatit goditjen e fundit, që mbetet për t’u parë nëse do të jetë Ali Soue, apo ndonjë tjetër.

GRUPI I pyetur në lidhje me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion Daja dhe nëse do të jenë ata që do të federohen përfundimisht, apo do të ketë ndonjë blerje, për këtë menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj për gazetën ka deklaruar: “Nëse më pyesni për grupin dhe cilët do të jenë lojtarët që do të rreshtojë Daja në fushë, më mirë pyesni trajnerin. Mund të them vetëm atë se po punojmë shumë orët e fundit që të bëjmë një afrim “blic” përpara ndeshjes së të enjtes ndaj Kairatit. Shpresoj që ta afrojmë një lojtar cilësor, i cili do të na bëjë vërtet punë. Sa për emrin, nuk mund të zbuloj gjë, sepse për këtë po punojmë, por të presim edhe këto orë që na kanë mbetur. Jemi drejt konkretizimit të marrëveshjes dhe sa do ta arrijmë një gjë të tillë, le ta vërtetojmë në orët në vazhdim”. Edhe nëse do të bëhet kjo goditje, për ndeshjen e parë zor se do të vihet nën urdhrat e trajnerit Daja për ndeshjen e së enjtes.

KAIRATI Takaj foli dje edhe për kundërshtarin e 13 korrikut, Kairat Almatin, që e cilëson si një skuadër të fortë, por vetë Takaj beson shumë që do të jetë Skënderbeu ekipi që do të kalojë më tej. “Kariati është një ekip me buxhet të madh, por ne kemi besim që e kalojmë. Nëse Skënderbeu prezantohet në fushën e lojës me maksimumin e vet, padiskutim që do të bëjmë ne surprizën dhe do të marrim atje një rezultat pozitiv. Kemi eksperiencë në Europë dhe jemi optimistë që do e marrim një rezultat premtues për takimin e kthimit. Mos harrojmë edhe tjetrën, në ndeshje të tilla duhet edhe pak fat. Kaq optimistë nuk jemi vetëm ne si drejtues, por edhe stafi e futbollistët. Tani le t’ia lemë fushës së lojës për të treguar se kush jemi”, mbylli deklaratën e tij menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *