Takaj beson: Nuk janë aq të fortë sa 2 vite më parë

Për kreun e Skënderbeut, është mirë që u shmangën kundërshtarë më të fortë. Vlerëson kroatët, por kërkon grupet e Europa League

Leonard Trebicka

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, që në nisjen e kësaj vere europiane pati deklaruar se do të kërkonte që të shkonte larg me skuadrën e tij, madje për ata pak që besonin, ai ka thënë: “Këtë verë shkojmë deri në grupet e Europa League”. Dukej një fjali rutinë e “bosit” të bardhekuqve, por duket se e paska pasur seriozisht. Për Skënderbeu ishte shumë e vështirë realisht, sepse duhet të kalonte tre ekipe dhe të pretendojë të kalojë tashmë edhe fazën e “play-off”-it. Ja që deri këtu ka ardhur dhe nuk është çudi që të jetë për herë të dytë në grupet e Europa League. Ndoshta tani duhen marrë edhe më seriozisht fjalët e presidentit Takaj, pasi e njeh mirë forcën e skuadrës së vet. Skënderbeu kaloi lehtësisht Sant Julian nga Andorra, më pas radhën e kishte Kairati dhe së fundi Mlada Beleslav. Pas fitores 2-1 në Çeki të ëksaj të fundit, u duk se Mlada do të kualifikohej, por ajo ka shkuar në shtëpi dhe korçarët vazhdojnë të jenë në Europë, në raundin e 4-t, ku do të luajnë me Dinamon e Zagrebit. Edhe për këtë kundërshtar pak besojnë se mund të kalohet, por për Takajn ky është viti i Skënderbeut dhe do të tentohet të kalohet edhe kjo skuadër, që para dy vitesh e eliminonte Skënderbeun nga Champions League.
SHORTI – Pasi ka mësuar se përballë do të jetë Dinamo e Zagrebit, presidenti i Skënderbeut për “Sport Ekspres” ka thënë këto fjalë dje në mesditë: “Në të tilla vente, kur arrin në “play-off” të një kompeticioni evropian, dihet që nuk është asnjëherë e lehtë, nuk ka kundërshtarë të dobët. Duke parë mënyrën si u ndanë grupet dhe si ishin ekipet në këtë fazë, mund të them se ka qenë një short i kënaqshëm. Shmangëm Ajaksin dhe Fenerbahçen dhe mund të them që kjo ishte diçka e mirë. Ishin këto dy ekipe, që doja të mos i kishim përballë dhe kjo dëshirë u realizua. Pjesa tjetër ishin thuajse të një niveli. Nuk kisha ndonjë preferencë të caktuar, por një dëshirë, që ekipi që do të kishim përballë, të ishte i mundshëm për t’u kaluar. Në këtë pikë janë të gjitha ekipet e forta. Mund të them se me këtë short, me Dinamon e Zagrebit përballë, jam i kënaqur. Është një ekip, që e njohim dhe sigurisht që do të jenë dy ndeshje të forta. Jemi ndeshur me ta edhe para dy sezonesh dhe besoj se janë më të lehtë se atëherë. Kanë ndryshuar shumë, nuk është më ai ekip i frikshëm.”
SHANSET – Në lidhje me atë se sa shanse ka Skënderbeu për të kaluar në grupet e Europa League, presidenti Takaj ka theksuar: “Besoj se kemi shanset tona për të kaluar më tej. Shanset i kishim edhe para dy viteve, por e nisëm keq në Elbasan, ku na u përmbys avantazhi dhe ishte shumë e vështirë në kthim. Nga ana tjetër, mund të them se Skënderbeu është me eksperiencë tashmë dhe shanset janë të mëdha. Ekipi është gati. Ali Soue do të jetë “arma” plus në këto takime, pasi është lojtari që na duhej. Nuk besoj se do të ketë ndryshime të mëdha në ekip. Kemi dy javë kohë dhe do të kërkojmë të shohim ndonjë tjetër goditje në merkato, por grupi është ky dhe nuk do të ndryshojë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *