Tafili: U riktheva se situatat kanë ndryshuar

0

Mesfushori kryen stërvitjen e parë: “Cungu më bindi që të rikthehesha. Gjendja është përmirësuar. Do të bëj më të mirën time”  

Gaspër MARKU

Skuadra kuqeblu e drejtuar nga tekniku Armando Cungu zhvilloi të enjten stërvitjen e parafundit anti-Skënderbeu. Me përgatitjet e ekipit u bashkua dhe blerja më e re e ekipit Alsid Tafilin.  Mesfushori është blerja e dytë zyrtare në këtë merkato dimërore. Tafili e paralajmëroi bashkimin me skuadrën e Vllaznisë një ditë më parë, pasi mbylli pasditen e së mërkurës me mirëkuptim kontratën që kishte të lidhur me Partizanin. 28 –vjeçari, pasi mori letrat nxitoi menjëherë të bashkohej me ekipin e Vllaznisë dhe të ishte nën urdhrat e teknikut Cungu. Por, përpara se të shkonte në stadiumin “Reshit Rusi”, Tafili është paraqitur në zyrat e KF Vllaznia ku pasi ka kryer formalitetet e nënshkrimit të kontratës ka pozuar edhe me administratorin e kuqebluve, Astrit Gjyrezi.

Një kontratë që me sa bëhet e ditur është e vlefshme zyrtarisht deri në fund të këtij sezoni futbollistik, por që bazuar në bisedat paraprake, me të gjitha gjasat ai do të jetë përsëri pjesë e kuqebluve edhe për sezonin e ardhshëm.  Prezenca e Alsid Tafilit në seancën e djeshme ka tërhequr jo pak vëmendjen e opinionit sportiv që nuk mungoi në shkallët e stadiumit. Me mirëkuptimin edhe të teknikut Cungu, Tafili ka ërë  prononcimin e tij të parë zyrtar si kuqeblu.

“E kam kërkuar këtë zgjedhje që të vij tek Vllaznia, pasi kam arsye të shumta. Por, ndër to dy-tre arsyet më kryesoret janë familja dhe trajneri Armando Cungu. Ishte ai që insistoi në rikthimin tim duke qenë se edhe unë kisha dëshirë të rikthehem për vetë gjendjen që po kalon ekipi, për Vllazninë dhe për tifozerinë. Por, në të njëjtën kohë edhe për vete, sepse për hir të së vërtetës nuk kalova një moment të mirë tek Partizani. Për këtë mendova të kthehesha në shtëpi ku i kam të gjitha arsyet të kaloj mirë.

Këtu kam familjen, shokët e mi dhe dua të kontribuoj për këtë ekip.”, u shpreh Tafili. I pyetur për diskutimet e shumta në lidhje me tratativat e lëvizjes së tij, mesfushori shkodran thotë se për këtë temë nuk është shumë në dijeni, por ka dëgjuar zëra se është menduar për një shkëmbim lojtarësh ndërmjet Vllaznisë dhe Partizanit. 28-vjeçari ka folur edhe në lidhje me situatat që po kalon Vllaznia.

“Mendoj se ka një frymë tjetër tani, pasi ndryshimet duken qartazi me ardhjen e trajnerit, si dhe të strukturave të tjera, Bordit Mbikëqyrës si dhe administratorit të ri të klubit, gjë që reflektohet në sigurinë financiare. Një gjë e tillë ndikon drejtpërdrejt në ngrohjen e futbollistëve, pasi kur ato shikojnë korrektësinë e shpërblimit të punës që ato bëjnë në shërbim të skuadrës, edhe puna bëhet më mirë”, përfundon Tafili.

6

muaj zgjati aventura e Tafilit me Partizanin

6

Muaj firmosi mesfushori me kuqeblutë me mundësi rinovimi edhe për vitin tjetër

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here