“Ta the unë dhe jam i sigurt”, Sormani vë bast për sigurinë e lojtarëve: Do peshojë te ta, është çështje motivimi dhe dëshire

Partizani i është rikthyer sërish stërvitjes në fushë pas një kohe të gjatë prej dy muajsh. Superiorja do të nisë kampionatin në datën 3 qershor dhe klubet kanë nisur nga puna për të mbërritur në formën më të mirë të mundshme gjatë kësaj periudhe stërvitjeje. Megjithatë lojtarët kanë humbur shumë në këtë aspekt, pasi seancat e stërvitore nga shtëpia janë shumë ndryshe nga ato në fushë.

Këtë e konfirmon edhe vetë trajneri i Partizanit, Adolfo Sormani, i cili në një prononcim për mediat flet për këtë situatë. Shumë të çuditshme e sheh tekniku italian këtë periudhë që kurrë më parë nuk është përjetuar nga bota e sportit. Sormani tregon se e gjitha kjo do të ndikojë te siguria e lojtarëve. Madje është i bindur për këtë fakt.

“Duhet të jemi të përgatitur për këtë, kjo është e sigurt. Është një situatë me të vërtetë e çuditshme dhe ndryshe. Të bësh parashikime është vërtetë shumë e vështirë. Është dicka që nuk është jetuar kurrë dhe për këtë arsye është absolutisht e vështirë. Unë mendoj se është çështje motivimi dhe dëshire.

Edhe kur je i stërvitur shumë nga shtëpia për mua është diçka jashtëzakonisht e ndryshme nga ajo e të stërviturit në fushë. E përsëris, kjo do të peshojë te siguria e lojtarëve. Ta them unë dhe jam i sigurt, sepse një futbollist kur shkon në fushë nuk mendon sa i përgatitur është. Kështu që ai do të mendojë në mendjen e tij se është i përgatitur dhe do të shkojë në stërvitje me intensitet”, ka deklaruar Sormani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *