Supersfida e boksit, befason gjiganti anglez: “Do i dhuroj paratë e ndeshjes, dihet si përfundojmë ne boksierët”

Të shtunën në mbrëmje në Los Anxheles do të zhvillohet një ndeshje e madhe boksi, sepse gjiganti anglez Tajson Fjuri do të sfidojë kampionin amerikan të peshave të rënda, Diontej Uailder.

30-vjeçari Fjuri, i cili ka vetëm fitore në 27 ndeshje boksi, ka lëshuar një deklaratë të fortë në prag të supersfidës së fundjavës, sepse ka thënë se do t’i falë të gjitha paratë që do të fitojë nga përballja ndaj kampionit në fuqi.

“Do t’i dhuroj të gjitha për të varfrit dhe do ndërtoj shtëpi për të pastrehët.

“Nuk kam ç’të bëj me kaq shumë para, nuk jam i interesuar për t’u bërë milioner a miliarder. Jam boksier, jo biznesmen, dhe me shumë gjasa do ndjek rrugën e boksierëve të tjerë – do rrënohem e do i humbas të gjitha.

“Paratë nuk i merr dot me vete në varr, ndaj më mirë të bëj diçka me to dhe të ndihmoj ata që nuk janë të aftë të ndihmojnë veten”.

Fjuri është i pasur, në fakt, por gjithnjë ka thënë se fëmijët e tij (ka 4 të tillë dhe së shpejti do jenë 5) do të duhet të punojnë: “Besoj se të gjithë fëmijët duhet ta nxjerrin me djersë paranë, për t’ia kuptuar vlerën. Është e lehtë të shpenzosh paratë e tjetrit dhe paratë e mia i kam fituar me gjak, në kuptimin e plotë të fjalës. Fëmijët e mi do duhet të nxjerrin vetë para dhe ta gjejnë vetë rrugën në jetë, jo falë parave dhe reputacionit tim. Shoh shumë fëmijë që i kanë prindërit të pasur dhe nuk bëjnë asgjë në jetë, por unë nuk do ta lejoj të ndodhë kjo gjë me fëmijët e mi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *