Superofertë, Uest Hemi pranë “bishës” së Frankfurtit!

Uest Hemi është shumë pranë një goditjeje të madhe për sulmin, sepse po mbyll bisedimet me Aintrahtin e Frankfurtit për sulmuesin Sebastien Haller. Francezi, 25 vjeç, është një ndër yjet e Frankfurtit dhe kampionatit gjerman, ku ka mahnitur sezonet e fundit.

Uest Hemi ka ofruar 40 milionë euro, shifër kolosale, por Çekanët duan patjetër sulmues, pas largimit të Marko Arnautoviçit në Kinë, ndërkohë që janë larguar edhe Endi Kerol e Lukas Perez, që do të thotë se në sulm kanë mbetur vetëm Havier Hernandez dhe Xhordan Hagill.

Haller e ka pranuar ofertën e Uest Hemit: kontratë deri në 2024, me 3 milionë euro në vit, plus bonuse. Problemi është se në garë mund të futet fuqishëm edhe Mançester Junajtid, që së shpejti do të shesë Romelu Lukakun dhe Haller do ishte zëvendësuesi perfekt.

Haller është 1.90 i gjatë, por është një sulmues shumë teknik dhe i shpejtë, i cili sezonin e fundit shënoi 15 gola dhe dha 9 asiste në kampionat. Frankfurti e bleu për 7 milionë euro nga Utrehti para 2 vitesh dhe tashmë bëhet gati të arkëtojë një shifër të paktën 6 herë më të lartë, duke treguar se është një klub i organizuar në mënyrë të shkëlqyer, sepse edhe Joviç te Reali ishte një operacion fenomenal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *