SUPERLIGA U17/ Flamurtari shpallet kampion!

0

Vlonjatët mposhtin 1-0 shkodranët, falë golit të realizuar nga sulmuesi në minutën e 36-të dhe ngrenë lart trofeun e Superligës

Andi TANKU

Flamurtari  –  Vllaznia  1-0

Shënues: Sadushi 36`

E mërkurë, 27 maj 2015, ora 11:00, kompleksi sportiv “Internacional”, në Pezë–Helmës.

Flamurtari: Qirko, Bocaj, Çakërri, Harruni, Shkurti, Fejzaj, Male (Disdari 80+2`), Dalanaj (Brahimi 80`), Tushi, Marra (Ferra 72`), Sadushi Trajner: G. Mezani

Vllaznia: Bajri, Miloti, Hebaj, Çelaj, Kaçubaj, Pjerrza (Kraja 41`), Pusi, Rahova (Dyca 75`), Parrubi, Kurtaj, Tula (Radovani 77`)

Trajner: A. Volumi

Gjyqtarë: A. Beqiri, M. Shazivari, Xh. Mani

Kartonë të verdhë: Sadushi, Bocaj / Pusi

Flamurtari shpallet kampion i sezonit 2014-2015 në Superligën e 17-vjeçarëve. Vlonjatët kanë mposhtur 1-0 Vllazninë, në finalen e zhvilluar dje në kompleksin sportiv “Internacional” në Pezë-Helmës. Fati i takimit u vulos nga goli i sulmuesit të Flamurtarit, Sadushi, i cili realizoi në minutën e 36-të. Sfida ka qenë e ekuilibruar, ndërsa Vllaznia është përpjekur të shmangë humbjen, por në një ditë perfekte portieri Qirko i vlonjatëve është kthyer në “hero” për të tijtë duke mos lejuar në asnjë rast prekjen e rrjetës së tij. Shkodranët e nisën mjaft mirë takimin, duke rrezikuar dy herë brenda pak sekondash, ku në minutën e 3-të Hebaj dhe Rahova ndalen nga portieri i Flamurtarit. Vllaznia nuk dorëzohet dhe vazhdon ofensivën drejt portës kundërshtare, ndërsa vlonjatët presin momentin e duhur për të “goditur”. Një gjë e tillë arrihet me sukses në të 36-ën, kur Sadushi, pas pasimit të marrë nga Dalanaj gjuan fort nga 20 metra, ndërsa topi prehet në rrjetë. 1-0 për Flamurtarin, rezultat me të cilin mbyllet pjesa e parë e sfidës. 45 minutat e dyta nisin sërish me Vllazninë në sulm, ndonëse këtë herë nuk ka qartësinë e duhur. Rahova mund të kishte shënuar në të 45-ën, por gjuajtja e tij direkt nga këndorja neutralizohet nga portieri Qirko që kryen një hedhje spektakolare. Momenti më i mirë për shkodranët për të barazuar shifrat regjistrohet në minutën e 60-të, kur Hebaj gjuan fort nga distanca, por topi përplaset në traversë e më pas në atë pingule të portës vlonjate. Flamurtari vijon të administrojë rezultatin, ndërsa në minutën e fundit të kohës së rregullt ka një mundësi për të mbyllur takimin. Është Tushi që vihet përballë portës së Vllaznisë, por gjuajtja e tij neutralizohet pa problem nga ana e Bajrit. Pas dy minutave shtesë të akorduara nga gjyqtari kryesor dhe skadimit të tyre, rezultati mbetet në fuqi ai i pjesës së parë, duke bërë që lojtarët dhe stafi teknik i Flamurtarit, por edhe tifozët e ardhur nga qyteti i Vlorës të nisnin festën legjitime për trofeun e fituar.

PAS NDESHJES:

Gentjan Mezani, trajner i Flamurtarit: “Ishe një sezon i gjatë dhe i lodhshëm. E nisëm mirë kampionatin, por në fazën e dytë patëm luhatje. Megjithatë ishim të bindur te forca e grupit se mund të fitonim titullim. Më tepër më kënaq fakti që kjo skuadër që unë drejtoj ka elementë cilësorë për të luajtur në të ardhmen edhe në Superligë me Flamurtarin. Aktualisht me ekipin e të rriturve në këtë sezon janë aktivizuar nga skuadra U17, Beqaj dhe Bocaj, të cilët kanë zhvilluar paraqitje pozitive në kampionat. Kemi një grup të mirë lojtarësh të cilët jam i bindur se do të arrijnë të tjera suksese edhe në Superligë, ndoshta jo vetëm me Flamurtarin, por edhe me skuadra të tjera ku ata do të zgjedhin të vazhdojnë karrierën e tyre futbollistike”.

Alban Volumi, trajner i Vllaznisë: “Edhe pse nuk fituam trofeun, mendoj se ky ka qenë një sezon i suksesshëm për Vllazninë. Dua t’i përgëzoj çunat për paraqitjen e tyre. Ka qenë një sezon i vështirë për ne, pasi “play-off”-in e siguruam vetëm në dy javët e fundit të kampionatit dhe u kualifikuan në finale pas fitores kundër Teutës në gjysmëfinale. Sfida e sotme (djeshme) u vendos nga një gabim që mund të evitohej. Kërkuam barazimin, por nuk ia dolëm. Megjithatë rëndësi ka që këta lojtarë e kanë treguar veten se janë të aftë për të përballuar edhe sfida më të mëdha. I uroj suksese edhe Flamurtarit për këtë triumf”.

Anxhelo Shkurti, kapiteni i Flamurtarit: “Është një sukses që na shijon së tepërmi, edhe pse gjatë këtij sezoni kemi pasur edhe momente jo të mira. Megjithatë, në ndeshjet e “play-off”-it, kundër Shkëndijës dhe Vllaznisë kemi treguar potencialin tonë, duke merituar këtë trofe të rëndësishëm. Këtë sukses ia dedikoj trajnerit tonë, Gentjan Mezanit, shokëve të ekipit, familjes dhe të dashurës sime”.

Pano Qirko, portieri i Flamurtarit: “Jam shumë i lumtur për këtë titull, të cilin e kemi merituar, pas ndeshjeve mjaft të mira që kemi zhvilluar në këtë kampionat. Ndaj Vllaznisë ishte një ndeshje e vështirë, sepse kundërshtari na rrezikoi disa herë dhe më vjen mirë që arrita të tregoj një formë të mirë për të mos lejuar prekjen e rrjetës. Suksesin ia dedikoj familjes, çunave të ekipit dhe trajnerit Mezani”.

Dani Sadushi, autor i golit ndaj Vllaznisë: “Nuk mund ta shpreh me fjalë emocionin që ndjeva në momentin e shënimit të golit. Ky titull ka ardhur në Vlorë në momentin më të mirë të mundshëm, pasi kishim kohë që e kërkonim ta bënim tonin. Një falënderim special shkon për ish-futbollistin e Flamurtarit, Mexhit Haxhiun, njëkohësisht drejtori i akademisë sonë, i cili na ka mbështetur gjatë gjithë kohës. Nuk mund të lë pa përmendur as shokët e ekipit dhe trajnerin tonë, ndërsa ia dedikoj këtë sukses edhe familjes sime”.

Behari dhe Grima

prezentë në finale

Në finalen e djeshme të Superligës për 17-vjeçarë, prezentë kanë qenë edhe drejtuesit klubeve përkatëse, respektivisht ai i Vllaznisë, Amir Grima dhe Ardi Behari i Flamurtarit. Pas përfundimit të sfidës, Behari ka marrë pjesë edhe në festimet e vlonjatëve, ndërsa trofeu u dorëzua sipas ceremonisë traditë nga ana Lusien Nurmishit, Shefi i Sektorit të Garave pranë FSHF-së. Festimet e lojtarëve vijuan në fushën e lojës, ndërsa nuk nguruan që në to të merrnin pjesë edhe familjarët e futbollistëve të Flamurtarit.

 

 

 

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here