Superiorja në ankand, kush është i ndershëm?

Java e fundit është një zvarritje e vërtetë. Skënderbeu feston me humbje të paralajmëruar, Partizani është në siklet me të gjithë, të tjerët me rroba plazhi në fushë

Erdhi fundi i Superiores, sezoni 2017/18, që si zakonisht është më i bukur dhe më i fortë se paraardhësi, por po aq i ndyrë sa të tjerët kur vjen fundi. 36 javë janë shumë, por nuk ka zgjidhje tjetër për një kampionat ku po të kishim një numër më të madh ekipesh pjesëmarrës, me siguri disa skuadra do i nisnin pushimet dhe qokat, për të mos thënë trukimet, që në shkurt e mars. Për fat të keq, Skënderbeu dhe Lushnja e kanë vrarë një pjesë të kampionatit para kohe, por nuk mund të shpresosh kampionat të luftuar deri në ndeshjen e fundit. E megjithatë, pak pastërti e burrëri nuk do i bënte keq futbollit tonë, të paktën mos të bëhej aq bajat saqë sot ta dinë të gjithë që Vllaznia do fitojë në Korçë, për shembull. Në hall është vetëm Partizani: do luftojë ndershëm e do dalë me ndonjë shpallje pas ndeshjes ku mburret që luan fort, apo do i bëjë nder Kamzës dhe në fund do vrapojnë të gjithë për në shtëpi, me shpresën që deri në gusht a shtator do harrohen të gjitha?

FESTË NË KORÇË, PËR NJË APO PËR DY? – Sot në Korçë festohet titulli. Është festuar me kohë në fakt, por sot do të jetë ngritja e trofeut. Priten tifozë, nuk dihet sa, por nuk do të jetë mbrëmje nga ato të mëdhatë, me stadiumin plot. Euforia për titullin ka kaluar, humbjet e fundit kanë treguar që Skënderbeu më mirë mos të ketë askënd të pranishëm sot, në një sfidë ku pritet fitorja shkodrane, kundër një Skënderbeu të mbushur me rezerva dhe të rinj. Daja mbron zgjedhjet e tij, kërkon t’u japë  shans dhe eksperiencë të rinjve, por a është kjo rruga e duhur? Zor se Daja i mendon vërtet ato që thotë. Më i sinqertë shkodrani Kraja: “Skënderbe, merru me kupën, lere ndeshjen tonë. Partizan, bëhu burrë, ashtu si u bëre me ne”. Vllaznia në fund shpreson të marrë pjesë në festën e Skënderbeut, askush nuk do t’i thotë gjë, fundja në Shqipëri të gjithë llapin dhe pas tre ditësh harrohen të gjitha. Ashtu si u harrua, për shembull, si Vllaznia fëlliqi veten në bashkëpunim me federatën, kur shpëtoi Skënderbeun me një dredhi të turpshme thuajse një dekadë më parë. Në Shkodër e në Korçë e mbajnë mend mirë, protokolli me difekt. Epokë tjetër, mos të hapim plagë, se ne shohim vetëm përpara…

PARTIZANI DHE NDERSHMËRIA – Kur mundi Vllazninë, Partizani doli me një qëndrim zyrtar, ku mburrej se luajti  ndershëm dhe respektoi futbollin. Në fakt, nuk e kishte bërë ndonjëherë më parë dhe nuk duhej ta bënte, pasi fundja bëri detyrën. Histori shqiptare, mburremi kur luajmë futboll, por nuk pranojmë asnjë akuzë. Tani Partizani, që kaq shumë inat i mban Vllaznisë për një të shkuar të afërt, ka në dorë skuadrën shkodrane. Realisht, Partizani e ka të qartë që Teuta sot nuk i bën asnjë nder në Laç. Zor se ka fuqi e motivim, edhe po të dojë, pavarësisht se kur thua Teuta të duket sikur thua Barcelona, pasi këto javët e fundit ka habitur gjithë Europën (por jo ne, që e dimë sa e fortë është skuadra durrsake).

STËRVITJE NË TRE STADIUME BOSH – Vini bast, a do jenë më shumë 100 persona në Lushnje, Kukës e Laç sot? Ka mbaruar gjithçka, është e kotë edhe teoria konspirative se po të dojë, Lushnja mund Luftëtarin dhe krejt papritur fut në garë Partizanin për vendin e katërt. Në atë rast do e hante Laçi, por zor se ka ndokush qejf, forcë dhe para për të realizuar një skenar të tillë. Fundja, Laçi mund të fitojë kupën, e ka treguar në dekadën e fundit ç’di të bëjë kur shkon në finale, ndaj ai vendi i katërt i ëndërruar ndoshta nuk i vlen Partizanit, që nga ana tjetër edhe duke dalë i pesti mund të shkojë në Europë, sepse së shpejti vijnë lajme për Skënderbeun dhe UEFA-n dhe ndoshta do të jenë shumë të zeza. Balta nuk është më e ëmbël se mjalta në Shqipëri, ka ikur koha e Çajupit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *