Superiorja marshon, situata pas shtatë javësh

U përmbyll edhe java e shtatë në Kategorinë Superiore dhe renditja ka pësuar ndryshime në fillim dhe në fund. Partizani kryeson i vetëm pas triumfit me Teutën, ndërkohë që Kukësi u mposht nga Skënderbeu dhe tanimë ndan vendin e tretë me Laçin me pikë të barabarta.

Një javë me përballje interesante duhet thënë. Të kuqtë arritën të shënonin tre gola, më shumë se në asnjë ndeshje tjetër tyren. Janë sulmi i dytë më i mirë dhe mbrojtja e tyre është “blind”. Partizani ka pësuar vetëm një gol dhe u ka ndodhur me penallti në ndeshjen hapëse të kampionatit me Skënderbeun.

Korçarët ndërkohë reaguan pas disfatës me Teutën. Kundër Kukësit, rival direkt për titull, vendosi Gripshi. U ndërpre kështu ecuria pozitive e verilindorëve me katër fitore radhazi. Laçi ndërkohë vijon të qëndrojë i pamposhtur.

Kurbinasit shënuan me Gjonin dhe mundën Flamurtarin. Tre pikë me vlera për bardhezinjtë e Mërgjyshit. Po ashtu fitore “të artë” mori edhe Luftëtari. Gjirokastritët i shkaktuan humbjen e tretë radhazi Kamzës dhe e barazuan me pikë.

Referuar ndeshjeve direkte, skuadra e Klodian Duros zbret në vendin e parafundit. Kastrioti mbetet në fund, pasi u mund në shtëpi nga Tirana. Një ndeshje me gola, teksa përfundoi me rezultatin 2-3. Bardheblutë kishin mundësi të shënonin edhe më shumë, por edhe mund ta pësonin në fund. Për skuadrën e Ze Marias ishte detyrim fitorja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *