Superiorja bëhet lëmsh, dy ndeshje në ajër prej stadiumeve

Java e 11 të e Superiories zhvillohet të premten dhe të shtunën, por ka një problem që duhet zgjidhur. Dy ndeshjet e së premtes ende nuk dihet se ku do të zhvillohen. Durrsakët kanë mbjellë barin në tapetin e stadiumit “Niko Dovana” dhe ndaj Tiranës nuk luajnë në shtëpi.

Edhe pse sot është e martë, ende nuk është vendosur asgjë. “SportEkspres.com” mëson se janë disa opsione për Teuta-Tirana. Ky takim mund të zhvillohet në “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës ose në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit.

Mundësi tjetër është marrëveshja mes klubeve, por problemi qëndron te fakti që të shtunën në “Selman Stërmasi” luan Partizani me Kamzën të shtunën. Tre ndeshje për një javë në stadiumin e bardhebluve do ta “masakronin” fushën dhe do të ndikonte në lojën e të kuqve.

Edhe Kukësit i janë prishur planet. Në “Elbasan Arena”, pas ndeshjeve të shumta të zhvilluara në të, është mbjellë bari. Kështu verilindorët duhet të gjejnë një fushë për ndeshjen me Flamurtarin. “Loro Boriçi” është mundësia e parë, por një opsion është edhe stadiumi i Kamzës.

Këtë fundjavë në të nuk luhet asnjë ndeshje dhe verilindorët në këtë stadium do kishin mbështetje të madhe nga tifozët. Në Shkodër numri i të pranishmëve zor ta kalojë numrin 100.

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 11

E premte, më 2 nëntor 2018
18:00 | Kukësi-Flamurtari
18:00 | Teuta-Tirana

E shtunë, më 3 nëntor 2018
14:00 | Luftëtari-Laçi
17:00 | Partizani-Kamza
17:00 | Skënderbeu-Kastrioti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *