Superiore pa sulmues race, në fund fitojnë gjithnjë mbrojtjet

Kampionati shqiptar nuk ndryshon dot, të bëjmë ç’të duam, të provojmë trajnerë sa të duam e të afrojmë sulmues sa të duam. Çështje mentaliteti, nuk ndryshon lehtë ai i shkretë.

Në javën e parë të Superiores u shënuan 10 gola në 5 ndeshje, nuk janë pak për ne, por në fund, kur bën llogaritë, ndeshjet i kanë fituar mbrojtjet.

Në Korçë përballeshin Soue me Bushiç e Danilo Alvesh. Duelin e stërfitoi sulmuesi i Skënderbeut, një zbulim i madh, por goli i i parë në Shqipëri po vonon. Përshtypja e krijuar është se Soue do të krijojë, më shumë sesa do të shënojë, por Skënderbeut i duhet njeriu gol. Ndoshta do të jetë Neshpor. Flamurtari? Danilo e pati një super rast, e humbi. Kaq, sepse mbrojtja e Skënderbeut nuk la shumë hapësira, ndryshe nga ajo kuqezi, që vuajti shumë.

Në Kukës vendosi një 11-metërsh, i vetmi gabim i Kamzës në atë ndeshje. Mbrojtje mjaft solide, që mbajti larg portës Kukësin për gjithë ndeshjen. Alijev fitoi 11-metërshin, por në Kukës presin gola dhe për momentin bilanci është negativ: dy ndeshje bashkë me Superkupën, vetëm një gol me 11-metërsh. Të paktën mbrojtja është “top”, sepse Plaku dhe në fund edhe Raçiç nuk është se patën ndonjë shans real për shënim.

Përjashtim bëri ndeshja e Durrësit: shënuan dy sulmues dhe si rastësisht ndeshja e vetme që pati më shumë se dy gola përfshinte Luftëtarin, skuadër që nuk di të mbrojë.

Ndërkaq, të dielën u shënuan 4 gola, por asnjëri nga sulmuesit. Në Fier ndeshja pati 4-5 raste në total, një autogol qesharak dhe një gol nga Hasani, një mesfushor. Atsina e Ribaj? Ende në pritje.

Në fund, Partizani: Laçi i dha një leksion, duke fituar 2-0 me një paraqitje perfekte në aspektin mbrojtës. Çani mungoi, Sukaj u ndal te traversa dhe mbrojtja e Partizanit e bëri lëmsh, ashtu si portieri. Laçi shënoi me dy mesfushorë dhe nuk e ndjeu shumë mungesën e Rexhinaldos në sulm, pasi Nica kishte bërë gjithçka në mënyrë perfekte në prapavijë dhe konfirmoi që në Superiore gjysma e punës është të dish të mbrosh. Pa lojtarë si Pejiç, Ekuban, Salihi e Latifi, misioni bëhet edhe më i lehtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *