Superiore kundërsulmi/ E njëjta strategji, “hajde po ta mbajti”

0

Edhe kjo javë e dytë e Superiores tregoi se futbolli ynë ka vetëm “Davidë” dhe jo “Goliatë”. Ata që presin, në fund ia arrijnë të triumfojnë

Pothuajse të gjithë ekipet kanë mësuar të mbrojnë mirë dhe të mos humbësh është rezultat pozitiv, sidomos në transfertë. Kështu mendojnë në një pjesë të mirë të klubeve shqiptare, që në fund edhe i arrijnë synimet e tyre. Java e dytë e Kategorisë Superiore solli sërish surpriza, por të njëjtin futboll, atë të kundërsulmeve. Ndoshta kjo nuk ndodhi disi në Ballsh mes Flamurtarit dhe Lushnjes, një ndeshje që u ndikua nga një karton i kuq i Bicajt dhe goli i Gavës, që bëri që vlonjatët të hidheshin në sulm. Gjithsesi dy golat e përmbysjes nuk erdhën pas ndonjë aksioni të rrjedhshëm, por nga goditje standarde. Një ditë më pas, të dielën, në Laç për 60 minuta u panë vetëm vendasit. Luftëtari shfrytëzoi një top të rikuperuar para zonës së tyre dhe dyshja Bregu-Abazaj shtangu bardhezinjtë. Cinizëm. Laçi e kishte bërë një javë më parë me Partizanin diçka të tillë, ndërsa të dielën e provoi në “kurriz”. Në Shkodër zor të shohësh më futboll sulmues, ose të paktën raste. Vllaznia-Teuta nuk prodhoi shumë, veç një goli mjaft të bukur të Arbër Çyrbjes dhe një traverse të Gilman Likës. Superiorja mbyllej të hënën. Shumëkush ka pritur një fitore të lehtë të Skënderbeut në Kamzë. Java e parë e kampionatit tregoi se nuk do të ketë fitore të lehta, përpos ndaj Lushnjes që herë-herë edhe ta “dhuron” ndonjë gol me gabimet që bën, sikurse ka ndodhur deri më tani. Që Kamza është një “kockë” e fortë, kushdo që ka sy e ka vënë re që në ndeshjen e parë me Kukësin në “Zeqir Ymeri”. Pardje skuadra e Ramadan Ndreut konfirmoi veten. Nuk shkëlqeu, por mori një pikë ndaj Skënderbeut. Edhe nëse do humbte, sërish do kishte një notë pozitive. Korçarët nga ana tjetër po e ndjejnë lodhjen, ndërkohë që edhe rrotacioni nuk është se ishte efikas. Forca goditëse e Skënderbeut nuk ishte ajo që pritej dhe që ishte parë në Europë apo në javën e parë në Korçë. Partizani-Kukësi ishte sfida që mbylli javën e dytë të Superiores. Spektakli ishte më së shumti në tribuna, ndërsa në fushë kishte shumë luftë sportive. Nuk munguan rastet për gol, me Kukësin që nuk shfrytëzoi rastet e krijuara falë edhe gabimeve të Partizanit. Të kuqtë dominuan në hapësirë, por loja me krosime të shumta nuk ishte efikase, por nuk duhet harruar edhe një magjia e Koliçit në fund pas goditjes së dënimit të Bathës. Frika për të mos humbur dukej te të dyja skuadrat dhe trajnerët pas ndeshjes u shprehën të kënaqur: Juliano për lojën, ndërsa Milinkoviç për pikën, edhe pse ëndërronte më shumë.

Pluset e javës
Ivan Fushtar–Kamza
Kamza kërkon të sigurojë sa më parë qëndrimin në Superiore, ky është objektivi i parë, ndërsa më pas pse jo kërkojnë edhe të ëndërrojnë. Që kanë një ekip të mirë e treguan edhe dje ndaj Skënderbeut. Me dy mungesa si Idrizaj dhe Plaku arritën të barazonin me korçarët, ndërkohë që afrimi i Ivan Fushtar ka rezultuar efikas, të paktën deri më tani. Pasi “futi në xhep” Ali Soue, bëri çfarë deshi në zonën mike dhe asistoi për Rezin, duke bërë që Kamza të merrte një pikë.

Danilo Alvesh-Bushiç
Golat e sulmuesve mungojnë. Në javën e parë Flamurtari nuk arriti të gjente dot rrugën e rrjetës ndaj Skënderbeut, por ndaj Lushnjes fituan me “tripletë”. Dy golat e parë u shënuan nga Alvesh-Bushiç, që shënuan nga një gol dhe asistuan për njëri-tjetrin. Trajneri Duro u shpreh i kënaqur pas ndeshjes: i kanë shënuar sulmuesit dhe kjo është shumë e rëndësishme, sigurisht veç fitores.

Dyshja Abazaj-Bregu
Luftëtari nuk ishte shkëlqyes në Laç, por kishte strategji të qartë, të priste momentin. Për 60 minuta i shpëtuan golit, ndërkohë që më pas “vranë” takimin. Kundërsulm nga gjysmëfusha e tyre ku ndodhej thuajse i gjithë ekipi kurbinas. Bregu jep një pas te Abazaj që me shpejtësinë e tij arrin të shmangë mbulimin e Gjonit dhe me një goditje të kalibruar mposhti edhe Selmanin. Më pas dyshja Bregu-Abazaj u çliruan. Një shtyllë tjetër e sulmuesit tropojan dhe një tranversë e vlonjatit. Gjithashtu edhe një gol i anuluar për pozicion jashtë loje.

Arbër Çyrbja-Teuta
Kur në Durrës thanë që jemi për titull shumëkush ka thënë: “Po këta janë çmendur?!” Teuta e ka treguar edhe një herë tjetër që me pak shpenzime mund të rivalizojë për titullin, por këtë herë kemi tjetër nivel pagesash dhe “djemtë e detit” kanë synimet e tyre. Kryesojnë pas dy javësh, jo me shumë shkëlqim, por kanë marrë gjashtë pikë të plota. Gjithashtu në ekip kanë një lider që quhet Arbër Çyrbja. Mesfushori, veçse të krosojë mirë, di edhe të shënojë gola si ai në Shkodër.

Tifozët shkodranë
Historikisht kështu ka ndodhur në Shkodër: mjafton një fitore apo 2-3 radhazi dhe tifozët dynden në “Loro Boriçi”. Kështu ndodhi edhe ndaj Teutës, kur rreth 5 mijë spektatorë ishin në stadium për të ndjekur Vllazninë e tyre. Një atmosferë mjaft e bukur, që i nevojitet shumë futbollit shqiptar. Fundja për tifozët luhet, por janë edhe burim të ardhurash: 5 mijë vetë në stadium përkthehen në miliona.

OK
Kukësi
Një barazim në transfertë ndaj Partizanit që mbështetej nga një publik i zjarrtë dhe është rival direkt për titullin nuk është keq për skuadrën e Kukësit. Të hënën në mbrëmje ekipi i Milinkoviç la pak hapësira, ndërkohë që edhe mund të kishte shënuar me Kale apo me Gurin. Gjithsesi në fund pika e marrë nuk është keq. Fundja Partizani është tre pikë poshtë tyre.

Minuset e javës
Ali Soue – Edgar Çani
Sulmuesi nga Gambia i Skënderbeut, Ali Soue, ndaj Kamzës thuajse nuk u duk fare. Vendasit i bënë mbulim të rreptë dhe nëse zgjon kujtesën, mban mend vetëm dy goditje krejtësisht të pasakta nga distanca të sulmuesit. Pa shenjë. Egdar Çani debutoi të hënën në Superiore dhe vetëm dyluftoi me Ylli Shametin. Për gjirokastritin dhe kolegun e tij Alla është më e lehtë të mbulojnë sulmues me karakteristikat e Çanit, që nuk la asnjë gjurmë. Njësoj me ta edhe Rauf Alijev.

Laçi dhe fusha
Fitorja me Partizanin kish rritur shumë moralin, ndërkohë që edhe tifozët kishin pritshmëri të mëdha, aq më shumë që luanin në shtëpi dhe ndaj Luftëtarit. Zotërimi i lojës nuk mjaftoi, pasi finalizimi la për të dëshiruar. Mund të thuhet që ishin të pafat, por ranë në “grackën” e Luftëtarit dhe mund të kishin pësuar disa gola. Gjithashtu edhe fusha e stadiumit të Laçit nuk është më e mira, pasi gjatë verës ka pësuar dëmtime të shumta, me barin të tharë në pozicione të ndryshme

Vllaznia
Pritej shumë nga Vucaj dhe Hasani, por presioni i publikut u ndje edhe tek ata, që ktheheshin në Shkodër për të luajtur në “Loro Boriçi”. Vucaj e kishte për herë të parë. Kuqeblutë bënë një lojë shumë larg pritshmërive dhe në fund dolën të mposhtu nga fusha e blertë. Veç kësaj zhgënjyen mijëra tifozë që ishin në stadium dhe mijëra të tjerë që i kanë ndjekur nga ekrani i TV-së.

Ditmar Bicaj
Mbrojtësi lezhjan u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen Flamurtari-Lushnja dhe prej minutës së 24-t vlonjatët u detyruan të luajnë me një lojtar më pak. Indrit Myrtja, gjyqtari shkodran, i ndodhur shumë pranë mbrojtësit ka dëgjuar ofendime dhe nuk ka ngurruar ta ndëshkojë Bicajn me karton të kuq. Për mbrojtësin gjyqtari gaboi, ndërsa për trajnerin Duro ndëshkimi i tij nuk është aspak pozitiv, pasi ai është edhe një lider në prapavijë, sidomos tani që mungonte Veliu

Mbrojtja e Partizanit
Katër gola të pësuar në tre ndeshje janë shumë për Partizanin që synon titullin dhe ka një trajneri italian. Ndaj Laçit mbrojtja nuk ishte në lartësi në golin e dytë, ndërsa për të hënën me Kukësin Ibrahimi duhet t’i thotë faleminderit Kalesë që nuk shënoi në portën e mbrojtur nga Alban Hoxha. Një tjetër fenomen që u vu re ishin krosimet e dobëta nga krahët, që ishin shumë të ulëta dhe ia bënë më të lehtë Kukësit.

PIKANTE
Koincidenca e të dielave
Në dy javët e para të kampionatit, të katër ndeshjet e zhvilluara të dielën kanë përfunduar me fitoren e miqve. Në javën e parë Laçi mundi Partizani dhe Vllaznia Lushnjen. Të dyja ndeshjet përfunduan 0-2. Edhe këët javë festuan skuadrat udhëtuese. 0-1 fitoi Luftëtari në Laç, ashtu si Teuta në Shkodër.

Dueli i batutave, Starova vs Bano
Ish-trajneri i Partizanit foli para ndeshje Partizani-Kukësi, teksa komentoi edhe një foto të tij në një ‘Bar Skedinë’. “Unë siç kam shumë miq kam dhe shumë armiq, një nga këto janë portalet që e bëjnë pijen e rakisë si reaksionare të ndaluar bashkë me dëfrimin e pjesëmarrjes në një bast sportiv të rregullt. Më mirë të gjesh një faturë siç gjeta unë dje, sesa 3 ndeshje të trupuara”, ishin fjalët e Starovës në “Supersport”, ndërkohë që Artan Bano pas ndeshjes me Flamurtarin theksoi se rezultatet nuk varen nga pagat që marrin lojtarët. Nuk është justifikim që kemi skuadër pa lojtarë të paguar me shifra të mëdha, sepse jo gjithnjë fiton skuadra me pagat më të larta. Përndryshe, Partizani Laçi do të përfundonte 7-2 javën e shkuar”.

Xhaja ngatërron kapitenin
Juxhin Xhaj gjykoi supersfidën mes Partizanit dhe Kukësit në “Selman Stwrmasi”, por i hutuar ndoshta nga oshtimat e tifozëve dhe thirrjeve ofenduese, për një moment, teksa loja ishte e ndaluar për goditje dënimi, në vend që t’i drejtohej Idriz Bathës, që mbante shiritin e kapitenit, ka kthyer vështrimin nga Hoxha duke i thënë; “Alban, fliti tifozëve sepse po shajnë!”. Albani ka mbetur i habitur, ndërsa i ka bërë me shenjë se është Batha ai që duhet të flasë, si kapiten…

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here