Superiore e Shpresat, Dramolli ndihet “1” te Bylisi

“Gardiani” korçar, vetëm 19 vjeç, ka luajtur në shumë sfida si titullar dhe presidenca e sheh si një investim për të ardhmen

Erjon Saliu
Në nëntorin e shkuar mbushi 19 vjeç dhe shihet si e ardhmja e portës së Bylisit, por shumë shpejt do të jetë një emër i njohur edhe në Shqipëri. Korçari Kostandino Dramolli, i cili ka luajtur deri më tani 540 minuta me ballshiotët luajti si titullarë në ndeshjene së mërkurës së kaluar në Shënkoll. Dramolli është një portier me të ardhme, ai ka qenë pjesë e Kombëtareve të moshave e deri te U-19. Tashmë, ai synon që të luaj në Superiore me Bylisin, por edhe të veshë fanellën e Shpresave U-21. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, para ndeshjes me Naftëtarin, Dramolli flet për synimet dhe të ardhmen e tij me ballshiotët.

“Luajta në Shënkoll dhe për fat fituam. Një transfertë e vështirë, ku rivalët tanë janë mundur, por ne e përgatitëm me kujdes këtë betejë. Ndaj edhe unë jam i bindur që ne do të vazhdojmë me këtë ritëm, pse jo shumë shpejt do të marrim edhe kryesimin. Kemi bërë ndeshje mjaft të mira dhe fakti që këtë sezon kundërshtarin direkt që është Tirana e kemi mundur në shtëpi, është mjaft pozitive. Unë besoj se do të ngjitemi në Superiore, por më parë duhet që të fitojmë sot në Kuçovë. Naftëtari është një ekip me traditë, por neve shkojmë të bëjmë detyrën dhe të marrim 3 pikët”, – ka theksuar Kostandino Dramolli, portieri 19-vjeçar i Bylisit.

OBJEKTIVAT – “Unë kam luajtur me kombëtaret e moshave dhe duke qenë se po luaj edhe në Ballsh pres një ftesë edhe nga Shpresat U-21. Mendoj se të qenurit pjesë e një ekipi si Bylisi, do të më ndihmoj shumë që të grumbullohem me kuqezinjtë. Kam besim se do e realizoj që këtë sezon, ndërsa objektivi më madhor është që të ngjitem në Superiore me Bylisin. Janë edhe disa finale dhe besoj se do t’ia dalim. Na kanë mbetur edhe dy ndeshje, sot në Kuçovë e më pas me Apoloninë në Ballsh. Do të marrim këto gjashtë pikë, e më pas do të bëjmë llogaritë. Por, duke qenë se kam qenë edhe një vit më parë pjesë e Bylisit, jam i bindur se ky sezon do të jetë ndryshe. Në fund, ne do të ngjitemi në Superiore”, – tha duke mbyllur prononcimin e tij Kostandino Dramolli, “gardiani” i Bylisit.

Formacioni i mundshëm: Dramolli, Buzi, Shoshi, Bella, Hoxhaj, Çukuka, Luzi Henrikue, Ntepe, Zisi, Murataj, Mahmutaj. Trajner: D. Sadedini.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *