Super Salihi, gol spektakolar dhe Nojshtati fluturon

Një Salihi i tillë është një mëkat që iku nga Superiorja. Sulmuesi shkodran, i cili këtë verë la Skënderbeun dhe Shqipërinë për të shkuar në Austri, është kthyer në një lider të vërtetë te Viner Nojshtati, në divizionin e dytë austriak.

Shkoi aty për të mbyllur karrierën si futbollist dhe për të nisur më pas karrierën e trajnerit, ndoshta te moshat, por me formën aktuale, zor se e lejojnë të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Sot Nojshtati fitoi 3-0 në derbin kundër FAC Vjenës, me Salihin që ishte sërish vendimtar. “Veterani” shqiptar zhbllokoi ndeshjen në minutën e 45-të, me anë të një 11-metërshi të ekzekutuar në mënyrë spektakolare, me të famshmen “Panenka”, shenjë se sulmuesi është në formë perfekte edhe në aspektin psikologjik.

Fitorja e pestë në po aq ndeshje, 15 pikë, 5 pikë mbi vendin e dytë, golaverazh 12-2 dhe 4 gola nga Salihi: në Vjenë ëndërrojnë me shkodranin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *