Super Fetel, Ferrari prish “mallkimin”
Më në fund, Ferrari është rikthyer dhe e ka bërë që në garën e parë të sezonit të ri, duke treguar se këtë sezon Mercedes nuk do ta ketë shëtitje. Sebastian Fetel ka arritur një fitore të madhe në Australi,triumfi i parë i Ferrarit pas një viti e gjysmë thatësire.
Piloti gjerman la pas Mercedesin e favoritit Ljuis Hamilton, ndërsa i treti u rendit Botas.
Fitore me grinte dhe taktikë perfekte ajo e Fetelit, që e nisi me presing total ndaj Hamiltonit, ndërsa më pas përfitoi nga ndalesat në bokse, duke pritur më gjatë se të tjerët për të bërë ndalesën e tij, çka e lejoi të merrte kreun dhe të shkëputej.
Gara e radhës së Formulës 1 do të jetë pas dy javësh, me Çmimin e Madh të Kinës.