“Sulmojnë Tiranën dhe Halilin, bujrum kush i do aksionet!”

Blendi Nallbani i është bashkuar Tiranës dhe tashmë është një prej këshilltarëve të presidentit Refik Halili. Ish-portieri i i bardhebluve, ditën e sotme ka qenë i ftuar në emisionin “Ditë e mbarë” që transmetohet në RTSH 2.

Ne fjalën e tij ai ka theksuar se te Tirana nuk do të ketë më probleme borxhesh apo licencimi. “Tirana synon gjithmonë titullin, pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Sa i takon licencimit, ne kemi bërë shumë pagesa. Nuk do diskutohet më pjesa e borxheve dhe e licencimit”, është shprehet Nallbani.

MERKATO – Në lidhje me lëvizjet e bëra këtë verë, ai shtoi: “Kemi bërë tre blerje të fuqishme, jemi në tratativa për dy afrime, duke nisur nga porta. Ilion Lika është portier shumë i mirë, ka emër të madh dhe nuk ka nevojë për komente. Por mosha nuk ta lejon të përballosh një sezon nga fillimi në fund. Kemi nevojë për portier, një mbrojtës qendre dhe një sulmues goli”.

AKSIONET – Nallbani, lajmet për shitjen e aksioneve të bashkisë, i konsideron si një sulm. Në fakt ka qenë vetë presidenti Refik Halili ai që ka deklaruar me zë e figurë në Supersport se te Tirana do të afrohej një tjetër donator. Gjithsesi media shpesh herë është shënjestruar, thua se i shet ajo aksionet, apo ia ka krijuar ajo borxhet ndër vite klubit të Tiranës.

“Nuk ka rëndësi kush i merr aksionet e bashkisë. Ku janë këta njerëz që duan ta marrin, le të vijnë?! Hidhet helm në momentet më kritike, kur ne kishim shumë ndeshje të rëndësishme. Kemi 2-3 vjet që vuajmë. Pse pikërisht në atë moment hapet puna e aksioneve?! Duan të godasin klubin e Tiranës dhe presidentin, ndaj edhe rrinë e bëjnë lojëra fjalësh”, është shprehur Nallbani mes të tjerash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *