Sulltan Cikalleshi, gola e rekord: Nëse luaj rregullisht…

0

Anton Cicani

Pa frena Sokol Cikalleshi, gjithnjë e më vendimtar për Akisarin, ku është kthyer në një pikë kyçe dhe duket sikur luan prej vitesh. Skuadra turke luajti dje kundër Gaziantepsporit dhe arriti një fitore të madhe 6-0. Cikalleshi ka dhuruar spektakël, duke shënuar 2 gola “e gjysmë”! Kishte shënuar një tregolësh para 3 vitesh me Kukësin, ndërsa e kishte bërë edhe në dhjetor 2015 me Bashakshehirin në kupë. Ndërkaq, ai ka thyer rekordin personal, duke realizuar dy gola në 3 minuta, teksa me Bashakshehirin e kishte 2 gola në 5 minuta.

Në fund të pjesës së parë Cikalleshi është gjendur në momentin dhe vendin e duhur në zonë, duke goditur pas një depërtimi të bukur dhe pasimi final nga Hurmaxhi, edhe pse ishte një autogol për miqtë, pasi lojtari kundërshtar e preku në vijën fatale. Në minutën e 57-të shqiptari u tregua i shkathët në zonë, duke goditur me kokë mes rrëmujës. Tre minuta pas golit të dytë, sulmuesi ynë mori një pasim nga portugezi Vaz Te dhe vërshoi drejt zonës, para se të godiste fuqishëm, duke shënuar edhe golin e tretë. Pas golit të tretë, me fitoren të siguruar, Akisari nisi të zbavitej dhe erdhi edhe një gol nga Vaz Te, para se Cikalleshi të dilte mes ovacioneve të publikut, 14 minuta para mbylljes, me Akisarin që e teproi, duke shënuar edhe golin e pestë sërish me sulmuesin Vaz Te nga pika e bardhë, në minutën e 82-të, si dhe golin e gjashtë me Larson 3 minuta para mbylljes. Dy javë më parë Cikalleshi javën e shkuar shënoi dhe dha një asist, javën e shkuar dha dy asiste. Bëhen 5 gola për Cikalleshin, i cili ka bindur Akisarin se ka bërë një biznes të shkëlqyer në janar, kur e huazoi nga Bashakshehiri. Sulmuesi im kombëtares pas ndeshjes ka folur për “Sport Ekspres”…

Sokol, urime, po u bëhet zakon goli, ndërsa tani e tepruar, dy gola në 3 minuta, pa llogaritur të parin, që me sa duket u konsiderua autogol.

E vërtetë, jam shumë i kënaqur, është momenti im, mund të them. E dija që nuk kisha shënuar asnjëherë dy gola në 3 minuta, më kishte ndodhur te Bashakshehiri të shënoja 2 gola në 5 minuta, por jo më pak. Është një moment i shkëlqyer, thjesht uroj të vazhdoj sa më gjatë.

Çfarë ka ndikuar, që jeni në formë kaq të mirë, me 5 gola në pak më shumë se 600 minuta në vitin 2017, pa harruar disa asiste?

Me ardhjen këtu, kam pasur minuta në dispozicion dhe jam shumë i lumtur që po arrij të tregoj veten dhe të ndihmoj ekipin. Unë e kam thënë gjithnjë, dua vetëm të kem shansin të luaj rregullisht dhe të tjerat vijnë vetë. Falënderoj klubin e Akisarit, që më besoi verbërisht në janar, ndërsa tani po ia shpërblej. Jam shumë i qetë, punoj shumë, stërvitem shumë dhe jap gjithçka në fushë, ndaj po vijnë edhe golat e asistet.

Në fakt, te Akisari u transferove në ditën e fundit të janarit, mes shumë dilemash.

Po, nuk dëshiroja të largohesha nga Bashakshehiri, sepse e konsideroja një sfidë personale të fitoja minuta dhe të tregoja sa vleja atje. Nuk ishte një periudhë e mirë, vuajta jo pak për faktin se në pjesën e parë të sezonit po luaja shumë pak dhe vetëm në kupë po gjeja rregullisht fushën. Akisari më bindi, kishte nevojë për një sulmues cilësor, sepse shënonte shumë pak. Shkova në huazim, synimi i madh ishte mbijetesa, pasi sulmi ishte ndoshta më i dobëti në Superligën turke. Tani, siç e tregojnë edhe shifrat, sulmi është ndër më të mirët në Turqi, prej shkurtit gjithçka ka ecur në mënyrë perfekte, aq sa tashmë klubi dëshiron edhe vendin e shtatë, që do të ishte një pozicion shumë prestigjioz, në këtë kampionat kaq të vështirë.

Në krahasim me kombëtaren shqiptare, çfarë roli po luan te Akisari?

Luaj si sulmues i avancuar, në një skemë 4-2-3-1. Është shumë ndryshe nga kombëtarja jonë, sepse dihet që në kombëtare luajmë me një sulmues dhe mesfushorët pas tij kanë prioritet të ndihmojnë ekipin në fazën mbrojtëse. Këtu ndodh e kundërta, luajmë me 3 mesfushorë shumë ofensivë pas sulmuesit kryesor, mjafton të shohim që portugezi Vaz Te është sulmues si sol, por luan si anësor krahu ofensiv. Kjo më ndihmon shumë edhe mua, sepse kam më shumë hapësira, më shumë pasime dhe raste për shënim.

Kampionati turk është mjaft i ndërlikuar por duket se tani e “pushtove”.

E vërtetë. Është një futboll shumë fizik dhe i shpejtë, nuk është e lehtë për askënd dhe natyrisht për mua nuk ishte e thjeshtë, pasi vija nga futbolli kroat, pas Shqipërisë. M’u desh një periudhë ambientimi, e nevojshme për çdo futbollist, por tani ndihem shumë mirë dhe jam i kënaqur që po jap kontributin tim për skuadrën, duke e ndihmuar. Dua të theksoj se këtu trajnerët nuk vlerësojnë vetëm golat: duhet shumë punë në fushë, shumë vrap dhe sakrificë, vlerësohen shumë edhe asistet, edhe ndihma në fazën mbrojtëse, pastaj nëse vijnë edhe golat, është perfekte.

E ardhmja?

Dua të vazhdoj në Turqi, kjo është e qartë. Tani që jam përshtatur me futbollin, jetën, gjuhën e zakonet, nuk kam dëshirë të ndryshoj, gjithnjë në rast se nuk vjen ndonjë ofertë e rëndësishme nga ndonjë kampionat më cilësor, por sinqerisht nuk është se ka shumë kampionate më të mirë dhe më të pasur se turku. Nuk mbyll asnjë derë, në verë do të flas me Bashakshehirin, me Akisarin dhe çdo klub tjetër të interesuar. E kam thënë edhe më parë, prioriteti im nuk është thjesht ana financiare, unë dua në radhë të parë të luajë rregullisht, të ndjej besimin e klubit ku luaj.

Sadiku me breshëri, ti po ashtu, Balaj nuk po luan prej disa javësh.

Uroj nga zemra që Sadiku, Balaj dhe gjithë sulmuesit e kombëtares të shënojnë sa më shumë. Futbolli është me momente, herë i ecën njërit e herë tjetrit, por gjithnjë mbështetim njëri-tjetrin dhe jam i bindur se edhe Balaj do të rikthehet shpejt te goli.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here