Sul Mema, pas kuintave bardheblu

0

Dirigjent i sektorit të të rinjve dhe këshilltar i presidentit, një projekt i nisur nga përvoja

Gjergji Stefa

“Diçka mund të bëjmë. Por mos prisni mrekulli. Deri tani ke vuajtur se askush nuk t’i ka thënë gjërat në sy”. Sulejman Mema nuk “merr kot”. 2-0 në Tel Aviv edhe mund të qëndrojë, por kjo është vetëm një ndeshje. E ardhmja duhet kuruar me kujdes.

Halili e ka marrë një vendim. Njeriu i cili do t’i qëndrojë më pranë në këtë projekt të ri do jetë Sulejman Mema. Këshilltar i parë i presidentit dhe dirigjent i gjithë sektorit të të rinjve.

Mema ka qenë deri tani trajner i Under-17, ndërkohë që nga tani e tutje do dirigjojë gjithë sistemin. Jo vetëm për kushtet sportive, por edhe një strategji më vete. Tirana sot vlen shumë në këtë sektor. Doka dhe Hoxhallari, për shembull janë produkt të akademisë dhe sot kërkohen bindshëm në treg, për të mos folur për afrikanët, apo për ndonjë prurje të re si Domgjoni, Deliaj apo ndonjë tjetër. E parë në këtë këndvështrim, duhet të bëhet e pamundura që çdo sezon 2-3 futbollistë cilësorë të vijnë nga të rinjtë, ata të rriten dalëngadalë dhe në të ardhmen të kontribuojnë në klub, ose të rriten dhe më shumë.

Mema gjithashtu do ketë një rol të rëndësishëm dhe për gjithë klubin. Ai do jetë njeriu që do këshillojë presidentin për lëvizjet e bëra, për politikat sportive dhe për një mendim ndryshe. “Nuk e kam fshehur asnjëherë simpatinë për të – ka thënë Halili – “Më pëlqen fakti që i thotë gjërat troç dhe që është pa diskutim i sinqertë dhe i drejtë në opinionet që jep”.

Trajneri Mema vetë do drejtojë të rinjtë B, ndërsa të rinjtë A do vazhdojë t’i drejtojë Bulku. Vendi vakant i Under-17 mund të mbyllet me Memellin, ndërkohë që Tiranën B mund ta drejtojë Alimehmeti.

Synimi këtë vit është që në sezonin e ardhshëm të jenë të paktën 2 lojtarë nga akademia të vlefshëm për ekip të parë. “Duhet dhe pak guxim – të thotë Mema – dhe unë shoh që trajnerit Ze Maria guximi nuk i mungon. Nëse punohet mirë, patjetër që do bëjmë diçka”:.

Tirana e së ardhmes do bazohet te përvoja dhe e ardhmja. Kthimi në Superiore dhe fitimi i kupës janë objektivat e klubit, ndërkohë që të rinjtë janë një politikë e cila në të ardhmen do sjellë jo vetëm sukses sportive, por edhe para.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image