Suksesi i Kukësit, stoli vendimtar

0

Jurgen Zela

Thuhet që të dalësh kampion duhet të kesh një stol të fortë. Kukësi është në gjueti të titullit për të pestin sezon dhe deri më tani dhe duket se është në rrugën e duhur. 13 barazime , 13 fitore, 52 pikë të grumbulluara dhe në vendin e parë, kur duhen dhe 10 javë që të përfundojë kampionati. Rruga nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi në disa sfida e ka parë veten në disavantazh. Megjithatë, Kukësi ka gjetur forcën për të barazuar së paku dhe në dy raste për ta përmbysur rezultatit. Çelësin e suksesit Kukësi duket se e ka gjetur nga lojtarët e stolit, që në gjashtë sfida kanë qenë protagonist me golat e shënuar.

Që në javën e dytë të kampionatit, Bedri Greca do të arrinte të shënonte pas aktivizimit në fushën e lojës, por goli i tij do të vinte pas dygolëshit të shënuar nga Pero Pejiç. Një javë më vonë aktivizimi i Izair Eminit në të 52-tën do të shpërblehej me gol 5 minuta më vonë. Vendimtar, pasi Tirana do të shënonte golin e barazimit pa u mbushur 10 minuta. Në javën e 10-të në Kukës, Sindrit Guri do të vuloste fitoren 3-1 përballë Vllaznisë pa u mbushur 60 sekonda nga aktivizimi i tij.

Java pasardhëse do të ishte shumë vendimtare, për shkak se në Durrës, Kukësi do të përmbyste vendasit me gola të lojtarëve të ardhur nga stoli. Lukas Rangel, i aktivizuar në të 74-tën, gjeti golin e tij të parë dhe të vetëm me Kukësin në të 80-ën. Katër minuta më vonë Lushtaku do të hynte dhe do të vendoste fatin e takimit në topin e parë të prekur prej tij, duke realizuar një supergol, që do t’i jepte Kukësit fitoren e parë në transfertë. Ndeshjet jashtë shtëpie nuk janë pika më e fortë e verilindorëve dhe në fazën e tretë në Vlorë do të vinte rasti i radhës kur Kukësi do ta shihte veten në disavantazh. Dëmtimi i Eminit në çerekun e parë të lojës i hapi vend aktivizimit të Sindrit Gurit, me shkodranin që gjeti golin e dytë i ardhur nga stoli, por këtë herë shumë më i rëndësishëm, pasi vlejti një pikë.

Ndeshja e fundit ku Kukësi ishte në vështirësi ishte pikërisht takimi me Skënderbeun, ku deri në minutën 88’-të shifrat shënonin 1-0. Kale, i aktivizuar në të 76-tën, me një super gol vendosi ekuilibrin, duke ruajtur pathyeshmërinë dhe pas javës së 26-të. Ky sezon po flet mirë për Kukësin në shumë aspekte, por fakti që dhe lojtarët e stolit janë po aq vendimtarë dhe në të njëjtin nivel me 11-shen titullare e bën punën e vështirë për trajnerin Ernest Gjoka, i cili me lëvizjet e tij ka rezultuar produktiv në rezultate.

 

Elton Kale, zbulimi i merkatos

Ndryshe nga çdo merkato tjetër, Kukësi bëri afrime me pikatore, duke zyrtarizuar vetëm mbrojtësin Simon Rrumbullaku dhe mesfushorin brazilian Elton Kale. Rrumbullaku u përshtat menjëherë me skuadrën, ndërsa Kale në sfidat e para u aktivizua si zëvendësues, për faktin se vinte nga një kampionat shumë ndryshe nga i yni dhe do i duhej kohë që të përshtatej. Me kalimin e ndeshjeve mesfushori shtatshkurtër po jep rezultat dhe po rezulton një blerje e goditur e Kukësit pasi vetëm në dy sfidat e fundit ka arritur të shënojë dy gola, me Korabin dhe Skënderbeun dhe të japë dy asiste me Tiranën dhe Korabin. Kale është aktivizuar në 6 sfida duke luajtur 217 minuta, duke folur me vepra se te Kukësi mund të kontribuojë drejt rrugës së titullit kampion.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image