Sukaj: Nuk jam shpëtimtari i Vllaznisë, Partizani më habiti

Sulmuesi kuqeblu është stërvitur me skuadrën dhe do të jetë të mërkurën në fushë: Ndeshje e rëndësishme, por jo finale. Të gjithë bashkë e kalojmë me sukses

Gaspër Marku

Xhevahir Sukaj është gati për ndeshjen e së mërkurës ndaj Kamzës. Pasditen e djeshme sulmuesi kuqeblu është parë të bashkohet me skuadrën në stërvitje, duke lënë mënjanë dëmtimin e pësuar dy ditë përpara ndeshjes në Vlorë. Ai ka punuar në unison me grupin dhe ky është një lajm shumë i mirë për kuqeblutë para sfidës shumë të rëndësishme ndaj Kamzës, një rival direkt për mbijetesë. Edhe trajneri Gjoka është qetësuar, pasi do të ketë në dispozicion një nga futbollistët më potentë të skuadrës. Sukaj ka folur për gjendjen e tij, ndeshjen e nesërme dhe atë çfarë ndodhi javën e fundit në intervistën e mëposhtme:

– Sukaj, jeni përpara një sfide, që në opinionin sportiv po konsiderohet si “beteja finale” e mbijetesës?

– Është ndeshje vendimtare, duke pasur parasysh se për ekipet e fundit të tabelës pikët janë të domosdoshme. Do të jetë ndeshje shumë e vështirë dhe po e përgatisim maksimalisht. Jemi shumë të mobilizuar dhe rezultati pozitiv që mori ekipi në Vlorë na jep kurajë dhe shtysë më tepër. Mobilizimi nuk është se na ka munguar, por fakti që vijmë me një rezultat pozitiv jashtë Shkodre, na karikon më shumë. Besoj se do t’ia dalim, sepse kemi detyrim ndaj Shkodrës. E kemi jetike fitoren.

– Munguat në Vlorë. Si u ndjetë që nuk ishit bashkë me shokët?

– Përpara ndeshjes në Vlorë pata një dëmtim të vogël, që e kalova në fakt me pak me dhimbje. Më ndihmoi për këtë edhe një mjek specialist i kombëtares kroate. E ndoqa ndeshjen me vëmendje dhe kisha emocion, pasi ekipi duhej të mos dilte pa pikë. Ia arritëm qëllimit fatmirësisht. Vllaznia tregoi karakter dhe me pak fat mund të kishte fituar. Ashtu siç shkoi ndeshja, është mëkat që i humbëm dy pikë, por duke ditur forcën e vlonjatëve, pavarësisht se kanë pasur oshilacione, na kënaq edhe pika.

– Mjekët ju kanë rekomanduar një javë pushim, por duket se do të riktheheni më parë, apo jo?

– Fati im i mirë ishte se ditën që u dëmtova ishte në Tiranë edhe një doktor i huaj. Me një ndërhyrje të vogël, me një injeksion, më jepet mundësi të luaj më shpejt. Jam i gatshëm për të mërkurën, nuk diskutohet. Fatmirësisht, të gjithë lojtarët janë të gatshëm për këtë ndeshje dhe shpresojnë të japim maksimumin në arritjen e fitores.

– Ribaj është shprehur pas ndeshjes në Vlorë që përpiqet t’ju rivalizojë…

– Sinqerisht, nuk e kam dëgjuar, por është normale. Edhe ne të tjerët, si kur kemi qenë rezerva, apo edhe kur kemi luajtur në  formacion, jemi stërvitur fort për të mbajtur vendin. Ribaj është djalë dhe sportist profesionist, gjithmonë i gatshëm për ekipin. Këto janë gjëra pozitive, që i shërbejnë ekipit. Te Vllazni të gjithë kanë dëshirën e madhe të ndihmojnë grupin, nuk mërziten edhe kur e nisin nga stoli. Kjo është shumë pozitive. Duhej të ishim më lart në tabelë, jemi koshientë. Fryma është shumë e mirë dhe më vjen shumë keq që ekipi është në këtë situatë, duke parë kontigjentin dhe mundësitë që ka, si dhe në çfarë stadiumi luajmë. Shpresojmë që me Kamzën ta fitojmë dhe jo se mbyllet këtu, pasi janë edhe tri javë të tjera, por kemi shumë avantazhe, nëse fitojmë.

– Fitorja në transfte e Teutes me Partizanin dhe barazimi i Kamzes me gjirokastritët e ka zbritur përsëri Vllazninë në vendin e parafundit të tabeles së klasifikimit.

– Fitorja e Teutës më habiti, sinqerisht, duke parë se Partizani i ka pikët jetike për vete, për objektivin e Europës. Durrsakëve u lumtë, edhe ata i kishin këto pikë për “jetë a vdekje”, i morën dhe bravo u qoftë! Ndërsa Kamza me Luftëtarin ishte një ndeshje shumë e fortë dhe duke parë se luhej tri orë përpara ndeshjes së Vllaznisë, e ndoqa me vëmendje. Patëm fat që humbi penalltinë ish-kolegu im Raçiç, por fatet janë pjesë e lojës, ashtu siç edhe ne e kishim një mundësi të artë të merrnim tri pikët në Vlorë, por u penalizuam në fund. Gjithmonë duhet të jesh i kënaqur me atë që merr dhe atë që jep, pavarësisht se je në një moment të vështirë.

T’i kthehemi ballafaqimit me Kamzën. Sa vendos ajo për mbijetesën?

– Fitorja na bën shumë punë, sepse kalojmë sipër Kamzës në klasifikim. Po ashtu, nëse fitojmë, edhe me barazim pikësh jemi të favorizuar me Kamzën. Pra, kalojmë një pikë përpara, por në fakt janë dy pikë. Ndjeshjen duhet ta fitojmë patjetër, sepse më pas shkojmë në fushën e Partizanit, presim Kukësin dhe shkojmë në Korçë. Kemi një kalendar shumë të vështirë, jemi të rrezikuar dhe kërkojmë mbështetje nga tifozët shkodranë. Mendoj se edhe ata e kanë detyrim të vijnë dhe ta ndihmojnë ekipin. Nuk është se i kemi bërë shumë vend vetes që t’i thërrasim, por ka ardhur koha që të mblidhemi të gjithë bashkë, që ta nxjerrim këtë ekip nga situata, që realisht është për të ardhur keq.

– Vllaznia-Kamza po e konsiderojnë si Vllaznia-Tirana të sezonit të kaluar dhe interesimi është i jashtëzakonshëm?

– E kam parasysh këtë interesim, sepse pothuajse është ndeshja vendimtare, por nuk e quaj finale si me Tiranen. Personalisht, nuk e quaj si të tillë, sepse janë edhe 9 pikë në lojës pas kësaj ndeshjeje. Nëse fitojmë me Kamzën, shkojnë një pikë para, por janë edhe 9 pikë në lojë, kështu që nuk është finale. Por është shumë e domosdoshme ta fitojmë këtë ndeshje me rivalin direkt, ku fitorja vlen dyfish. Mendoj se është shumë e rëndësishme, por jo finale.

– Shumë analistë mendojnë se Vllaznia do të fitojë 1-0, me golin tuaj. Po ju, çfarë parashikoni?

– Sinqerisht, të shënoj për t’u quajtur shpëtimtar që Vllaznia të mos bjerë nga kategoria, nuk ndjehem mirë. Edhe vitin e kaluar, kur Vllaznia shpëtoi, kam parë lojtarë të saj që nuk janë gëzuar shumë, sepse ra Tirana. Jam mësuar të gëzohem te Vllanzia, kur ajo kalon ture në Europë, kur fiton trofe. Kemi qenë pretendentë dy-tre herë për të dalë kampion. Te Vllaznia kam qenë gjithmonë pjese kur ajo fitonte dhe gëzonte një qytet të tërë. Jam i bindur se edhe nëse i shënojmë 5 gola Kamzës, qytetari shkodran ka për të thënë se kemi bërë detyrën, sepse po shpëton Vllaznia. Nuk e quaj veten shpëtimtar, nëse i shënoj Kamzës dhe fitojmë. Këtu doja të dilja.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *