Sukaj: Na pa Zoti, fitore më me fat nuk kam parë

Sulmuesi i Partizanit, Xhevahir Sukaj, i ka dhënë Partizanit fitoren e parë në kampionat, me penalltinë e shënuar në fundin e takimit kundër Teutës. Sukses, por pa lojë bindëse dhe me shumë fat, siç e pranon edhe vetë Sukaj, i sinqertë në maksimum.

“Skuadra ka qenë gjithnjë e bashkuar, ndaj përqafimi me Julianon pas ndeshjes nuk tregon ndonjë gjë, thjesht festuam që më në fund thyem tersin dhe erdhën golat. Na shpëtoi zoti, sepse Teuta e nisi shumë mirë dhe mund të shënonte edhe golin e dytë. Pas barazimit, ishim të bindur që do të fitonim. Nuk luajtëm mirë as sot, por rëndësi ka që erdhi fitorja.

“Presioni? Po, ka qenë shumë i madh, sepse nuk kemi mundur deri tani as rivalët inferiorë dhe as rivalët direktë. Shyqyr zotit, fituam sot, sepse kurrë nuk kam fituar ndonjë ndeshje me kaq shumë fat. Shpresoj të jetë një pikë kthese, sepse nëse nuk fitojmë ndeshjen e ardhshme, kthehemi aty ku ishim. Edhe Reali e ka nisur shumë keq, ndodh një seri e tillë, por rëndësi ka të reagojmë edhe ne si Reali. Sot fituam vetëm nga agresiviteti dhe dëshira që tregoi skuadra, nga nervi që tregoi në pjesën e dytë. Ishte e patolerueshme nëse gabonim edhe sot. Gabojmë shumë raste, jo se kemi ndryshaur shumë lojtarë, sepse skuadra është thuajse ajo e viteve të fundit, por mendoj se ka qenë një periudhë bllokimi, tepër negative, por mendoj se tani e tutje do të jetë një Partizan me fytyrë tjetër. Mendoj se kemi bërë kthesë, fitorja në Durrës është po aq me vlerë sa në Korçë e Kukës. Tani shpresoj që të gjithë ta shohin Partizanin pas kësaj ndeshje, do të tregojmë një fytyrë tjetër.

Cilësia ka rënë? “Na u bë legjendë historia e Ekubanit, por ai fillimisht nuk ishte në formë dhe në tetor nisi të shënonte. Edhe Cetkoviç po ashtu, kur erdhi. Torasa po, ka qenë një lojtar që e luante mirë topin, e qetësonte lojën dhe organizonte, por është i vetmi. Edhe për të ardhurit e rinj duhet pak kohë, pak rëndësi ka a janë super apo skarco, sepse edhe ne të tjerët e kemi pasur të nevojshme një periudhë kohe. U duhet dhënë kohë, disa ambientohet shpejt, disa jo. Nuk mund të bëjmë ndryshime deri në janar, ndaj deri atëherë duhet t’u japim kohë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *