Sukaj me probleme, Gjoka izolon Vllazninë para Laçit

Shtatë pikë në tre ndeshje kanë rritur optimizmin në skuadër duke garantuar rezultate edhe më pozitive

Gaspër Marku

Vllaznia izolohet para Laçit, por problemi i saj quhet Xhevahir Sukaj. Ekipi kuqeblu, nuk humbet kohë, e paraqitet në stërvitje, edhe pse kanë luajtur të dielën. një ndeshje mjaft të vështirë në Gjirokastër. Për hir të së vërtetës, skuadra vendëse e Luftëtarit i vuri shkodranët, jo pak nën presion. Gjithsesi, stërvitja e sotme është zhvilluar për arsyen e thjeshtë, se për shkodranët nuk kanë kohë për të humbur. Të mërkurën, kalendari ofron një ndeshje tjetër po aq të vështirë. Laçi-Vllaznia është një nga çiftet e javës së 22-të të Superligës, takim që do të luhet në stadiumin e qytetit të Laçit, duke filluar nga ora 14.00. Në pritje të kësaj ndeshje, tekniku Gjoka kishte në dispozicion vetëm dy ditë për të përgatitur anti-Laçin. Në ditën e parë, atë të djeshme, si rezultat i kushteve atmosferike në qytetin verior, e më saktë dëbora, është detyruar të mbyllë skuadrën në palestër. Ngarkesat për ata që kanë luajtur 90-të minuta, natyrisht që kanë qenë më të lehta. Për pjesën tjetër, programi ka qenë normal. Ajo që është vënë re, ka pasur të bëjë me një situatë pozitive, që ka pushtuar grupin kuqeblu, gjë e cila ka ardhur si rezultat ecurisë së rezultateve pozitive që skuadra ka regjistruar në tre ndeshjet e fundit. Shtatë pikë në tre ndeshje, konsiderohen një rezultat i kënaqshëm edhe për faktin se nga një skuadër, që për javë të tëra renditej në zonën e “kuqe” të daljes nga kategoria, tashmë figuron në plus katër pikë më shumë se sa rivalja më e afër që e ndjek nga pas, Teuta e Durrësit.

Sukaj me shqetësime fizike, por bëhet për Laçin

Përsa i përket gatishmërisë së futbollistëve për këtë sfidë transferte në Laç, nga burime brenda skuadrës bëhet e ditur se i vetmi futbollist, i cili ka shfaqur shqetësime është sulmuesi Xhevahir Sukaj. Sipas stafit mjekësor, një gjë e tillë mund të ketë ardhur nga një dëmtim i marrë gjatë ndeshjes të së dielës në Gjirokastër përballë Luftëtarit. Megjithatë, është po stafi mjekësor, që konfirmon për “Sport Ekspres” se në saj të terapisë intensive, që është rezervuar për sulmuesin në këto dy ditë që janë në dispozicion të pragndeshjes, gjasat janë që Sukaj të jetë në fushë ditën e mërkurë përballë Laçit. Nga treshja Bardulla, Pjeshka dhe Marku, të cilët për arsye dëmtimesh prej dy-tre javësh janë larg skuadrës, njëri prej tyre, mbrojtësi Denis Pjeshka, duket se ka bërë hapa përpara në drejtim të rikuperimit. Për këtë arsye, Gjoka ka vendosur ta përfshijë në listën e grumbullimit për ndeshjen e mesjavës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *