“Sukaj do t’i thotë “po” Vllaznisë”

E pohon edhe kapiteni Gilman Lika, i cili shprehet se sulmuesi do të kthehet në Shkodër dhe do t’i bëjë shumë punë skuadrës së qytetit të lindjes

Gaspër Marku

Xhevahir Sukaj mund të konsiderohet si përforcimi i parë i Vllaznisë në muajin janar. Pas “divorcit” me Partizanin, shkodrani është në kërkim të një klubi tjetër dhe si destinacion i mundshëm i tij në media janë lakuar shumë emra skuadrash, siç janë Tirana dhe Vllaznia. Por edhe vetë Sukaj, në një prononcim për gazetën dy-tre ditë më parë, u shpreh se momentalisht është në kontakt me disa skuadra jashtë vendit, ku mund të firmosë në javën e parë të vitit të ardhshëm. Megjithatë, ka shanse reale që sulmuesi të kthehet në Shkodër dhe për këtë del “garant” edhe kapitenin i skuadrës kuqeblu, Gilman Lika, i cili është ndër shokët dhe miqtë më të afërt të Sukajt. Kapiteni Lika shpreh bindjen e plotë se Xhevahir Sukaj shumë shpejt do të bëhet pjesë e Vllaznisë. Ndër të tjera ai zbulon se gjatë gjithë këtyre ditëve është në kontakt të shpeshtë me Sukajn. “Unë shpreh bindjen se Xhevahiri shumë shpejt do të bëhet pjesë e skuadrës sonë. Ia kam kërkuar edhe unë si shok i afërt i tij, pasi një futbollist i tillë i duhet Vllaznisë në majën e sulmit. Këtë çështje po e ndjekin edhe drejtuesit më të lartë të klubit dhe ata të bashkisë, të cilët kanë biseduar me të. Nëse nuk ka avancime të bisedimeve për kalimin e Sukajt te Vllaznia, kjo gjë ka ardhur sepse menaxheri i tij ka qenë në pritje të përgjigjes së një klubi jashtë vendit. Por, me sa jam në dijeni, Sukaj nuk ka ndërmend të presë gjatë për klubet e huaja dhe do t’i thotë “po” Vllaznisë”. Zyrtarizimi i Sukajt te Vllaznia mund të jetë çështje ditësh”, – ka thënë dje kapiteni Lika.

Nëse vjen Sukaj, shkodranët zgjidhin një nga problemet më të mëdha të këtij kampionati, atë të qendërsulmuesit. Shkodranët kanë në ekip vetëm Atsinën dhe Ribajn sulmues të mirëfilltë, por afrikani ka pasur probleme fizike dhe në shumicën e ndeshjeve ka munguar. Vllaznisë i duhet me çdo kusht një sulmues me përvojë dhe kush më mirë se Sukaj do t’i bënte punë skuadrës kuqeblu…  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *