Suedi-Zvicër/ Flet shqiptari i parë i helvetëve, Rama: E parandjeja se do të vinte ky moment!

Zvicra do të luajë sot kundër Suedisë prej orës 16:00. Fituesi i këti çifti do të sigurojë çerekfinalet. Takimi i sotëm përjetohet me emocione të mëdha dhe nga shqiptarët, pasi bëjnë tifo për shqiptarët e Zvicrës.
“Sport Ekspres” ka kontaktuar me shqiptarin e parë që ka zgjedhur kombëtaren e Zvicrës. Ish-sulmuesi Milam Rama ka 4 ndeshje me ekipin helvet, por nuk ka shënuar asnjë gol. Ai pranon të flasë me qejf për ndeshjen ndërmjet Zvicrës dhe Suedisë.
Milaim, si po përjetohet ecuria e ekipit në Zvicër?
Ecuria e Kombëtares së Zvicrës është pritur shumë mirë. Grupi ishte i vështirë me Brazilin dhe Serbinë, por kombëtarja zvicerane e kaloi me sukses duke zënë vendin e dytë. Tani shpresojmë që të sigurojë një vend në çerekfinale.
Ju jeni më afër dhe e përjetoni realitetin zviceran. Realisht, si u prit simbolin i shqiponjës nga Xhaka dhe Shaqiri pas golave kundër Serbisë?
Për simbolin e shqiponjës ka patur opinione të ndryshme. Një pjesë e madhe e ka mbështetur gjestin e simbolit të shqiponjës nga djemtë shqiptarë, por ka pas edhe nga ata që e kanë kritikuar. Unë mendoj se djemtë shqiptarë treguan vlera të larta sportive dhe i treguan të gjithë botës se nga janë. Ne na bënë që të ndihemi krenarë me golat që i shënuan dhe fitoren që arritën kundër Serbisë.
Kthehemi te ndeshja e sotme. A mund ta kalojë Zvicra këtë tur?
Zvicra mund ta kalojë Suedinë, por do të jetë një ndeshje e fortë. Suedia ka një mbrojtje shumë të fortë dhe lojtarë shtatlartë, fizikisht të përgatitur mirë. Nga ana tjetër, unë mendoj që Zvicra ka lojtarë cilësorë në përbërje dhe cilësi të larta individuale ku në çdo moment mund të bëjnë diferencën.
Keni qenë shqiptari i parë që keni veshur fanellën e Zvicrës. E prisnit që ekipi të arrinte në këtë nivel?
E vërtetë. Kam qenë shqiptari i parë që kam veshur fanellën helvete dhe jam krenar për ndeshjet që kam luajtur dhe kam patur mundësi të angazhohem. Jam prijësi i këtyre djemve shqiptarë që erdhën pas meje. Kam patur një parandjenjë që pas meje do të vinin dhe të tjerë djelmosha shqiptarë. Të jem i sinqertë nuk e prisja që të ishte një numër kaq i madh. Ne jemi një popull i talentuar dhe këtë e kemi treguar në Zvicër.
Ne na vjen mirë që kanë suksese me Zvicrën, por do ishim më krenarë nëse i arrijmë me fanellën e kombëtares së Shqipërisë, ose përfaqësuesen e Kosovës. Mendoni se FSHF-ja po bën një punë të mirë në Zvicër?
Nuk mund ta them unë këtë gjë. Ka disa vite që po organizohen në Zvicër kampe, por nëse do të merrnin mendimin tim mund të them se kampet duhet të organizohen në mënyrë më profesionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *