Studimi i CIES/ Rënie drastike e vlerës së lojtarëve, humb keq Interi dhe Verona e Kumbullës

Qendra Ndërkombëtare e Studimeve Sportve, e njohur ndryshe si CIES, ka bërë një studim për të matur pasojat financiare që pandemia Covid-19 do të lërë pas në 5 kampionatet më të forta të Europës. Kështu nëse sezoni do të anullohet, atëherë do të kishte një rënie në 28% të vlerës totale të lojtarëve, duke variuar nga 7 deri në 23.4 bilion euro. Nga pikëpamja e përqindjes është Marseja ajo që humb më tepër me 37.9% rënie në vlerën totale. Ekipi francez ndiqet më pas nga Milani, Verona e Kumbullës dhe Spali, porta e të cilëve mbrohet nga Etrit Berisha. Një statistikë kjo që duket se i prek klubet e futbollistëve shqiptar.

Ndërkohë nga ana tjetër nëse largojmë përqindjet dhe përqendrohemi te vlerat e pastra monetare, atëherë më pak i buzëqesh fati Manchester Cityt, që do të humbiste një vlerë shumë të madhe prej 412 milionë eurosh. E pa pasoja nuk mbeten as klube të tjera të njohur të Europës, teksa Barcelona ndej “qytetarët“, për të vijuar më pas me Liverpool dhe PSG-në. Gjithashtu CIES ka bërë me dije se merkato nuk do të jetë më ajo që jemi mësuar të shohim vitet e fundit, me klubet që do kursejnë shpenzimet e tyre në treg. Madje shembullin e jep me Pogbanë, për të cilin shprehet se vlera në treg do të kapë shifrën 35 milionë euro, që përkthehet në një përgjysmim të vlerës aktuale./Sport Ekspres/