Studentin s’e mbajnë gjunjët deri në fund

0

 

 

Një përballje e mirë e dinjitoze e kampionëve tanë në Lajkovac, por diferencat i ka bërë kundërshtari në pikët e fundit, duke mos i dhënë mundësinë ekipit të Ylli Tomorrit të marrë qoftë edhe një set

 

Gjergj Vyshka

 

Spartak Ljig – Studenti 3-0

(25-23, 25-21, 25-16)

Spartak Ljig: Duduj, Periç, Dojciloviç, Glaviniç, Lazareviç, Iliç, Smiljaniç (L)/Gajeviç, Arsenovski, Milovanoviç, Radosaljeviç Trajner: B.Veliçkoviç

Studenti: Qerraxhia, Çali, Malaj, Memia, Rrashketa, Qafarena, Gorenxa (L)/Kono, Tukseferi, L.Martiro, K.Martiro Trajner: Y.Tomori

Gjyqtarë: M.Horvat (Hungari), L.Globançik (Sllovaki)

 

Studenti nuk ia ka dalë dot as në ndeshjen e kthimit në Lajkovac përballë skuadrës serbe Spartak Ljig në raundin e dytë të Challenge Cup. Madje ka bërë një ndeshje më të mirë se sa në Tiranë, ndërsa e ka nisur lojën aty ku e ka lënë në setin e tretë një javë më parë në “Asllan Rusi”, teksa është mundur 0-3. Në setin e parë loja e tanëve është dinjitoze. Qafarena si shuter, por dhe Rrashketa në rolin e bllokuesit, pa harruar paraqitjen e Memisë, Malajt e Qerraxhisë e bëjnë Studentin që të dalë disa herë në avantazh. Madje në dy pushimet teknike Studenti është në avantazh 5-8 dhe 14-16. E ndryshimi, apo diferenca në cilësi, është pikërisht në pikët e fundit. Skuadra vendëse me një rezultat të pjesshëm 7-1 arrin të përmbysë në 21-17. Mirëpo tanët nuk dorëzohen. Barazohet rezultati në 23-23 dhe atëherë kur pritej që kampionët e Shqipërisë të merrnin setin kanë ardhur dy pikët e arta të Spartak Ljig, që thuajse pas gjysëm ore e ka mbyllur setin e parë 25-23. Tomorri vendos që në setin e dytë të aktivizojë Tukseferin, të cilin nuk e ka ndarë as në setin e tretë. Dhe organizimi i lojës merr një tjetër ngjyrë. 8-7 për vendësit është pushimi i parë teknik dhe më pas 16-12. Ka një pauzë në rezultatin 21-19 dhe me një avantazh të pjesshëm 4-2 Spartak Ljig arrin të marrë setin e dytë 25-21. Serbët aktivizojnë rezervat në setin e tretë, kurse tanët duket se janë të lodhur. Vendësit janë gjithnjë në udhëheqje të rezultatit 8-6, 16-12 dhe në fund 25-16 dhe krejtësisht 3-0. Tashmë Studenti do të përqendrohet në ndeshjet e kampionatit dhe të Kupës së Shqipërisë për të rikërkuar përsëri trofetë dhe përsëri përfaqësimin në sezonin e ardhshëm në Evropë.

Shifrat – Në rezultatin total në tre është 75-60 për Spartak Ljig, që do të thotë një ndeshje dinjitoze e tanëve. Serbët nga 75 pikë në total kanë shënuar 56 pikë, ndërsa 19 kanë ardhur nga gabimet e kampionëve tanë. Ndërkohë Studenti nga 60 pikë në total 41 ka shënuar vetë, kurse 19 pikë kanë ardhur nga kundërshtari. Pra gabimet janë të barabarta, veçse diferencat janë bërë pikërisht në fundin e setit nga kundërshtari. Pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes është Glaviniç me 14 pikë i ndjekur nga Qafarena i Studentit me 10 pikë. Në bllok kanë dalë fitues me nga dy mure rezultative Duduj dhe Milovanoviç për Spartak Ljig, si dhe Memia, Rrashketa e Qafarena. Në shërbim me nga një të saktë kanë qenë Dojçiloviç, Glaviniç, Arsenovski, Lazareviç dhe Radosaljeviç të Spartak Ljig, si dhe Qerraxhia, Çali, K.Martiro dhe Rrashketa. Përfundimisht lojtari më i mirë i Studentit ka qenë Qafarena me tetë sulme dhe dhjetë pikë të realizuar, madje duke qenë shënuesi i dytë më i mirë i ndeshjes.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.