Shqipëria skuadër 40 pikëshe, humbja është e pandalshme!

0

 

Italia s’e ka të vështirë të kalojë edhe transfertën në “Asllan Rusi”, teksa ka fituar me 46 pikë dhe kryeson grupin C me 12 pikë të plota. Në nëntor tonat përballë Britanisë së Madhe dhe Malit të Zi

Gjergj Vyshka

Shqipëri – Itali 40-86

(8-19, 16-27, 6-22, 10-18)

Shqipëria: Zykaj (12), E.Bujari (13), Aliaj, Xhanaj (2), Myrto (7)/Lalaj, Gjoni (2), G.Bujari (2), Dashja, Qypi (2) Trajner: E.Borova

Italia: Doto (6), Mashiadri (2), Gorini (9), Roza (8), Maki (8)/Konsolini (4), Sotana (14), Zandalasini (14), Nadalin (4), Bestanjo (12), Taljamento Trajner: A.Kapobianko

Gjyqtarë: B.Vasalo (Maltë), I.Poljansek (Slloveni), O.Jalman (Turqi)

Shqipëria e basketbollit të femrave është një skuadër 40 pikëshe dhe jo më shumë, ndërsa në ndeshjen e katër kualifikuese të Kampionatit Evropian 2017 nuk ka mundur dot ta shmangë humbjen. Përballë ka pasur Italinë, e cila më 21 nëntor të vitit të kaluar në Luka na ka mundur me 83 pikë, ose më saktë 38-121. Por dje gjërat kanë qenë më ndryshe, ndonëse dominimi i të kaltërve ka qenë i dukshëm në parketin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Myrto, Zykaj dhe Eliverta Bujari janë munduar ta mbajnë në lojë skuadrën tonë, e cila duhet thënë se në sulm ka humbur disa gjuajtje me vlerën e dy pikëve edhe duke qenë poshtë koshit. Ajo që ka bërë diferencën për vajzat tona janë trepikëshat. Madje me dy të Eliverta Bujarit dhe një të Elektra Zykajt, ndërsa perioda e parë kishte përfunduar në favor të Italisë, 8-19, Shqipëria është afruar deri në nëntë pikë diferencë, 17-26. Por vetëm kaq. Italia e ka mbyllur periodën e dytë 16-27 dhe në pushim ka shkuar në dhomën e zhveshjes me avantazhin prej 22 pikësh diferencë, 24-46. Për t’u evidentuar është fakti se trajneri i mikeshave, Andre Kapobianko, i ka aktivizuar të gjitha lojtaret. Dhe në fakt basketbollistet e ardhura nga stoli të tilla si Sotana, Zandalasini dhe Bestanjo nuk e lënë kombëtaren tonë të marrë frymë. Përdoret presingu e jo rrallëherë Shqipëria ka pasur vështirësi për të dalë nga zona e vet. Italia fiton periodën e tretë 6-22 dhe thellon në 30-68. E katërta është një administrim i avantazhit nga të kaltrat, ndërsa ajo që duhet theksuar është fakti se ka qenë Borova ai që ka shfrytëzuar tre pushimet e tij, ndërsa Kapobianko, edhe pse ndonjëherë ka qenë i nxehur me veprimet e vajzave që drejton, nuk e ka pasur të nevojshme për të bërë pushime. Sepse Italia e ka dominuar dhe administruar ndeshjen sipas dëshirës së vet. Ndaj dhe në fund ka fituar me 46 pikë diferencë, 40-86, ndërsa kjo ndeshje mund të konsiderohet si më e mira e kombëtares sonë të të rriturave në këto kualifikuese.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image