Strategji e njëjtë, heshtje në Vlorë

Edhe para Partizanit te Flamurtari i shmangën deklaratat dhe në fund morën tre pikë. Klubi vendos sërish që të mos ketë prononcime për mediat
Elton Nika
Vlonjatët kanë vendosur që edhe këtë javë të mos japin asnjë deklaratë për mediat, ndërsa kontakti i vetëm pritet të jetë ashtu si një javë më parë trajneri Shpëtim Duro. Një ditë para takimit që do të luhet ditën e diel në Vlorë ndaj Kukësit ia pritet të flasë për ndeshjen me kampionët. Strategjia dhe qëllimi i njëjtë, teksa kërkohet që të shmanget euforia para ndeshjes me verilindorët, por ky vendim nuk lidhet vetëm me euforinë. Situata e krijuar pas dënimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës për Flamurtarin është cilësuar një dënim mjaft i rëndë dhe aspak i bazuar në rregullore, ndaj edhe kjo është një arsye e heshtjes. “Sport Ekspres” ka kontaktuar me drejtues të klubit të Flamurtarit gjatë ditës së djeshme dhe ata kanë komunikuar se skuadra do të vijojë të qëndrojë në heshtje për shtyp. Edhe vetë lojtarëve u është komunikuar një vendim i tillë, ndërsa këta të fundit nuk mund të shprehen për asnjë media bazuar në rregulloren e kubit, në rast të kundërt ndaj tyre nuk do të mungojnë sanksionet. Prej dy javësh Flamurtari vijon të qëndrojë në heshtje për shtyp, duke shmangur kështu çdo lloj kontakti me median e shkruar edhe atë vizive. Vlonjatët kanë marrë kështu një tjetër për të evituar deklaratat e bujshme të futbollistëve përpara një sfide delikate që luhet për vendin e dytë në kampionat. Ndërkohë mësohet nga burime të klubit të Flamurtarit se presin të paktën uljen e dënimit prej katër ndeshjesh, dënim i cili është apeluar. Në Vlorë pritet të pakën përgjysmimi i dënimit të dhënë nga FSHF, që do t;u jepte mundësinë vlonjatëve ta konvertonin në gjobë dënimin pas ndeshjes me Kukësin dhe të paktën me Skënderbeun të luajnë me praninë e tifozëve.
PËRGATITJET
Flamurtari ka zhvilluar një seancë gjatë paradites në palestër dhe një seancë stërvitore gjatë pasdites në fushën sportive të Pyllit të Sodës. Pas një dite pushimi të akorduar nga stafi teknik, tashmë skuadra ka zbritur në fushë dhe palestër, me qëllim përgatitjen sa më të mirë të ndeshjes me Kukësin, që në Vlorë cilësohet shumë e rëndësishme, pasi kundërshtari është vetëm dy pikë larg. E vetmja mungesa është ajo e Sidibe, ndërsa gjendja e mbrojtësit Siljanovksi pas dëmtimit dhe daljes nga fusha para kohe ndaj Partizanit është stabilizuar, çka do të thotë se mbrojtësi i djathtë do të jetë plotësisht gati për Kukësin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *