Strakosha pa kufij, tani vlen sa Hysaj

0

Portieri i Kombëtares shqiptare bëhet shqiptari më i shtrenjtë në treg sipas “transfermarkt.de”, tani vlen 20 milionë euro…

Ka mbushur 23 vjeç vetëm pak ditë më parë, ndërsa tashmë është shqiptari më i shtrenjtë në qarkullim, së bashku me Elseid Hysajn. E pabesueshme trajektorja ngjitëse e Thomas Strakoshës, që vetëm dy vite më parë luante, pak, dhe vuante, shumë, në Serinë B italiane, me Salernitanën. Shembulli më i qartë se në futboll duhet shumë punë e durim, si nga lojtarët, ashtu edhe nga klubet. Këtë durim e pati Strakosha, që ka punuar shumë, ka duruar shumë, edhe kur e kritikonin jo pak te Salernitana, ku Lacio e huazoi për një sezon. Më pas, në verën e vitit 2016 Strakosha u kthye në Romë, për ta nisur nga e para, p3rë të treguar se mund të bëhej dikush. Ia doli, e ka fituar betejën e tij personale për t’u bërë një kampion i vërtetë.

SEZONET E ARTA – Kur në vitin 2016 Lacio e ktheu në shtëpi, pas huazimit në Salerno, pakkush mendonte se Strakosha do të qëndronte në Romë. Qëndroi, duke ditur se nuk nisej si titullar, nuk nisej as si portier i dytë ndoshta. Megjithatë, pak nga pak i ngjiti shkallët me shpejtësi dhe që nga debutimi kundër Milanit në San Siro, më 20 shtator 2016, karriera e portierit kuqezi ka pasur vetëm ngjitje, nga ato të rrufeshmet, të bujshmet. Në qershor 2016 vlera e tij në treg sipas sitit të specializuar Transfermarkt.de ishte 300 mijë euro. Shumë pak, por në tetor Strakosha vlente 1 milion euro dhe u pa qartë që kishte talent dhe pak nga pak Lacio po bindej se kishte një super portier. Në mars të vitit të shkuar Strakosha vlente 2.5 milionë euro dhe në qershor 4.5 milionë. Plot 13 milionë euro shkoi vlera në fund të vitit të shkuar, kur Strakosha tregoi se sezoni i shkuar nuk ishte aspak rastësi dhe tashmë është ai mbreti i Lacios, me vlerën që ka shkuar në 20 milionë euro. Vetëm Elseid Hysaj vlen kaq shumë, ndërsa nga lojtarët e tjerë të kombëtares nuk i afrohet askush. Etrit Berisha, rivali i portës, është te 7 milionë eurot, i treti në renditjen e shqiptarëve më të shtrenjtë.

SHIFRA IMPRESIONUESE – Portieri kuqezi është ndër ata që kryen më shumë pritje vendimtare në Serinë A dhe ndërkohë është portieri i dhjetë më i shtrenjtë në botë. Aspak keq, mbi të gjitha për faktin se Strakosha është i 20-ti në botë ndër gjithë futbollistët e lindur në vitin 1995. Në Serinë A vetëm 48 futbollistë kushtojnë më shtrenjtë se Thomasi, i cili në rang botëror është në vendin e 24ë-të për sa u përket lojtarëve më të shtrenjtë.

RENDITJA E STRAKOSHËS PËR NGA ÇMIMI

VENDI 242 NË BOTË

VENDI 49 NË SERINË A

VENDI 6 TE LACIO

VENDI 1 NDËR FUTBOLLISTËT NGA SHQIPËRIA

VENDI 10 NDËR GJITHË PORTIERËT

VENDI 20 NDËR GJITHË LOJTARËT E LINDUR NË 1995

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here