Strakosha lë pas Donarumën dhe Bufonin, Bogdani i thur elozhe!

Statistikat po flasin nga java në javë për Thomas Strakoshën. Këtë herë vlersimi është edhe më real kur vjen pikërisht nga votat e portalit italian “tuttomercatoweb”Edhe pse gjatë fundjavës, sfida e programuar mes Lacios dhe Udinezes nuk u zhvillua, shkak rrebeshi i madh në “Olimpico” të Romës, për Thomas Strakoshën vlerësimet kanë qenë të mëdha, duke qenë se për momentin, 22-vjeçari i portës laciale dhe i dytë te Shqipëria është pozicionuar në vend të 19-të në listën me 20 futbollistët më të mirë të kampionatit, me një notë mesatare vlerësimi 6.41.

Për më tepër Strakosha është portieri më i mirë për momentin në Itali duke lënë pas edhe portierin e talentuar të Milanit, Donaruma, si dhe legjendën Bufon. Paraqitjet pozitive të njëpasnjëshme janë shpërblyer në këtë mënyrë për Strakoshën duke i siguruar atij në të ardhme më premtuese. Pikërisht duke folur për Strakoshën, Erjon Bogdani, për mediet italiane, u ndal te aventura me Salernitantën, që këtë sezon po bën mjaft mirë në Serinë B.

“Serinë B këtë vit e shoh shumë të ekuilibruar. Aktualisht ky kampionat nuk e ka ende një ekip i cili mundet të “vrasë” kampionatin, por çdo ndeshje mundet të sjellë të papritura. Këtij klubi i duhen besuar lojtarë të rinj nga të cilët varet e ardhmja, si Strakosha. Në këta lojtarë duhet besuar gjithmonë dhe jo t’i sulmojmë ata pas çdo performance të dobët”, tha ish-sulmuesi i Kombëtares. Thomas Strakosha u huazua nga Lacio te Salernitana dy vite më parë por zgjati vetëm pak muaj aty, pasi u kritikua pas disa paraqitjeve të para aspak bindëse. Por, siç duket, i bëri mjaft mirë ajo përvojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *