Starova: Më lumturon fakti që nuk ia heqim ne titullin Partizanit!

Laçi udhëton drejt Tiranës nesër dhe do të përballet me Partizanin kryesues. Kurbinasit janë grumbulluar para ndeshjes dhe situata në ekip është e mirë. Mungesat janë ato të mëparshmet, Ceka, Berisha, Smaçi e Fangaj. Trajneri Sulejman Starova, para ndeshjes me të kuqtë ka folur në lidhje me përballjen me Partizanin dhe ndihet mirë me faktin që nëse skuadra e tij fiton nuk do t’u prishë punë atyre.

“Sigurisht që ka një ndryshim, pasi kemi një takim të rëndësishëm. Ne kemi objektivat tona, ata janë rrugës drejt titullit kampion. Meqë e lidhët me të shkuarën, jam i lumtur pasi nuk është se po prishim punë. Do ishte e vështirë për mua, nëse rezultati pozitiv i yni do u hiqte titullin. Është një ndeshje e veçantë, pasi luajmë vetëm ne atë ditë, në një ambient të bukur. Shpresojmë të bëjmë një ndeshje të mirë”, është shprehur Starova për Supersport.

Mungesat që Partizani ka nuk bëjnë që te Laçi të mendojnë se kanë ndonjë epërsi. Trajneri i kurbinasve e arsyeton kështu: “Nuk shoh vështirësi, pasi ata nuk janë të bazuar te 10 lojtarë. Kanë shumë lojtarë në dispozicion dhe ata që aktivizohen nuk kanë ndryshim me të tjerët. Flitet që luan Kalari në qendër, ai ka eksperiencë të madhe. Nuk shoh ndonjë avantazh”.

Në lidhje me synimet që Laçi ka dhe mënyrën se si sillet skuadra, Starova shtoi: “Objektivi është Europa. Llogaritë bëhen në fund. Janë 18 pikë në lojë. Deri tani nuk ka munguar shpirti i garës, dëshira për t’iu përgjigjur stafit. Kam gjetur një pjesë të shëndoshë në këtë drejtim. Sakrifikojnë për t’ia shpërblyer presidentit dhe tifozëve që kanë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *