Starova: Jam larguar nga Partizani, i zhgënjyer nga Olsi Rama

Sulejman Starova i thotë të gjitha dhe ka shfrytëzuar emisionin “Procesi Sportiv” në Top-Channel për të folur hapur, për të shprehur dëshpërimin e tij për largimin e shpejtë nga Partizani dhe për të kundërshtuar deklaratën e Olsi Ramës se metodat e Starovës ishin të vjetruara. Dukshëm i zhgënjyer, Starova pohon se priste një ndarje ndryshe dhe tashmë nuk ka më asnjë lidhje me Partizanin.

“Së pari, nuk jam pjesë e Partizanit. Jam shkëputur përfundimisht, kam kërkuar dorëheqje përfundimtare. Kam kaluar 5 vite të mrekullueshme aty, kam marrë sadisfaksion dhe rezultate, edhe pse nuk fituam trofeun. Hasan Lika bëri një punë shumë të mirë, erdhi Duro dhe shkuar në Europë. Në vitin e tretë e humbëm për fajin tonë titullin, për lëvizjet e brendshme, por sërish sukses ishte vendi i dytë. Më pas na vodhën një kampionat ashiqare. Nuk kam qenë pjesë e dështimit në kupat e Europës, sepse isha këshilltar dhe nuk isha nga Italia, që të jepja alarmin për gjërat që shkonin keq. Moxhi më ktheu në drejtim dhe tha që kishte gabuar më parë. Duhet thënë që tifozët janë shumë të lodhur, duan kampionat. Prishja me drejtuesit? Nuk ka rëndësi”.

RAMA – “E vetmja kontraditë ka qenë për arbitrat, për të mos u marrë me ta. I kam thënë që po dëmtohemi nga arbitrat, mos i ngatërro grintën me nervozizmin. Po të mos kisha bërë ashtu në Kukës, nuk fitonim. Rama kishte të drejtë që kërkon qetësi, por që kur e mora e derisa ika, në çdo ndeshje ndëshkoheshim. Rama thotë që morëm Starovën si ekspert të kampionatit. Demi më tha që nuk ke objektiv, por i thashë që kisha objektiv, ia dilnim, vendi i dytë mund të kapej. Më pas u larguan lojtarët në janar dhe u bë e pamundur, por i patëm disa herë shanset. Partizani e ka treguar forcën e vet me Skënderbeun dhe me rivalët e tjerë. Nuk mund të vijë ndihmësi im e të ndryshojë mentalitetin e stërvitjes, kur unë isha i monitoruar gjithë kohën nga gjithë klubi, edhe nga Moxhi, që ka një eksperiencë të jashtëzakonshme. Asnjë fjalë të keqe për stërvitjen time, vetëm arbitrat po na masakronin. Dalipi e ka drejtuar skuadrën me fanatizëm të paparë skuadrën, si kur isha unë në fushë, ashtu edhe në tribunë.

DALIPI – “Ka ikur koha kur ndihmëstrajnerët thjesht mbartnin topat, si i thonë fjalës. Partizani ka pasur staf të kompletuar, të përgatitur, marrëdhëniet kanë qenë të mira dhe rezultatet do vinin. Nuk ka më trajner të parë, ka një staf të kompletuar që punon tërë javën. T’i themi gjërat troç: është e drejta e Gaz Demit të më largojë, sepse ai shpenzon paratë e familjes dhe fëmijëve të vet. Kur nuk e thotë ai pse ika, nuk ka pse ta thotë Olsi Rama. Këta heqin ekspertin që njeh kampionatin dhe e heqin pas dy muajsh, ndërsa marrin Dalipin që ka krijuar eksperiencë si ndihmës, a mund ta besojë njeri që bëhet ndërrimi në stol në këto momente? Dalipi nuk ka luajtur mendsh që të ndryshojë formacionin. Stërvitja ka parime fikse, mund të ndryshojnë vetëm ushtrimet taktike. Olsi nuk kishte pse nxirrte justifikime, nuk kishte pse të më ofendonte, normalisht që jam i ofenduar. Kam kaluar 5 vite të mrekullueshme me Gaz Demin, nuk ka ndarje të bukura, ky zanat kështu e ka. Megjithatë, kam punuar për kaq shumë vite në këtë klub, një largim ndryshe e meritoja”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *