“Starova, Haxhija dhe Tomori e falimentuan Partizanin”

0

Ish-drejtori i Partizanit, Dritan Dervishi, mbetet i informuar për futbollin shqiptar dhe i ndjek ngjarjet e fundit nga Italia, atje edhe ku punon për Veronën. Ish-zyrtari i të kuqve, në këtë intervistë për “Sport Ekspres”, ka folur për situatën te Partizani dhe ka drejtuar gishtin te drejtuesit e klubit për dështimin e pritshëm të këtij sezoni…

Me barazimin ndaj Laçit, a mendoni se Partizani nuk ka shanse për t’u shpallur kampion?

– Besoj se Partizani e humbi kampionatin me dy barazimet e fundit ndaj Kukësit dhe sidomos ndaj Laçit. Nuk më pëlqen fakti se ky kampionat i humbur krahasohet me atë të vjetshmin dhe me humbjen ndaj Bylisit, pasi vjet ishim 4 pikë pas Skënderbeut. Vjet Partizani dhuroi spektakël dhe ishte viti ynë i parë i punës, ne do e fitonim kampionatin nëse Flamurtari luante me 11 lojtarë kundër Skënderbeut.

– Çfarë nuk funksionoi te Partizani?

– Te Partizani nuk funksionoi staf teknik dhe administrativ. Drejtorët që dalin para tifozëve dhe në televizor vetëm kur fitonin. Ndërsa kur humbnin faji e ka arbitri, fati, FSHF, apo kundërshtarët. Nuk është stili që i takon këtij klubi.

Në syrin tuaj, si ka qenë loja e të kuqve këtë sezon?

– Loja e Partizanit ka qenë shumë e dobët. Kjo jo për fajin e lojtarëve por për strategjitë e gabuara nga trajneri. Nuk shkohet në ndeshje për të marrë barazimin e për të vënë autobusin para portës.

– E kritikoni shumë Starovën, por çfarë roli ka luajtur në ekip dhe sa fajtor është për këtë lojë të dobët siç e cilësoni ju?

– Starova është fajtori kryesor i këtij falimentimi, bashkë me të fajtor janë dhe Tomori e Haxhija pasi ata janë drejtuesit dhe benë strategjinë sportive e merkato te gabuar. Të shikojmë kush do të mbajë përgjegjësi dhe të largohet. Besoj se asnjëri, pasi ata dinë të zvarriten dhe të gjejnë fajtorë të tjerë. Vjet këta zotërinj e gjeten te Dervishi e Agostineli

– Çfarë bëtë ju më shumë apo më pak në klubin që administruat vjet?

– Këtu mos të ngatërrojmë klubin  nga ana administrative me atë sportive. Unë dhe Gerald Burba me ndihmën e presidentit Gaz Demi krijuam një klub me struktura, vërtetë një klub modern sportiv.  Njerëzit dinin ku te trokisnin dhe jo të firmosej nëpër baret e lagjes. Ne ishim nga mëngjesi në darkë në shërbim te Partizanit. Filluam një rrugë që na dërgoi në Champions ku tifozët u ndjenin krenarë për klubin e ekipin. Jo si sot që fajin e kanë të tjerët dhe kush kritikon është armik.

Çfarë i mungon Partizanit?

– Asgjë e vetmja gjë që duhet bërë duhen larguar nga klubi këta tre drejtues, pasi ata dështuan. Kush e paguan këtë humbje financiare dhe sportive, që këta me strategjinë e tyre shkaktuan këtë sezon? Vjet kur mbaroi kampionati u vërsulen drejt meje dhe trajnerit për ta na përzënë. Punova me pastërti dhe u gjakosa për ato simbole dhe fitova respektin e tifozëve me punë jo me llafe. Gjithsesi, ata janë steka të vjetra dhe dinë të luajnë mirë bilardon, vazhdojnë të manipulojnë tifozët. Me 100 për qind, ishim kampion sivjet.

– A është penalizuar Partizani nga gjykimet?

– Jo, as Partizani, as Kukësi e as Skënderbeu nuk janë penalizuar, por ky staf kërkon të justifikojë dështimin me këto përralla.

– Po deklaratat kundër FSHF-së, si i komentoni?

– Sa për luftën me FSHF-në, ajo është luftë personale e Starovës me këtë Institucion. Haxhija dhe Starova me dinakëri futen në mes Partizanin dhe presidentin Demi.  FSHF nuk ka dëmtuar, ajo nuk dhuron kampionate.

Kush del kampion?

– Kukësi më 70 për qind, me 30 për qind Skënderbeu.

– Së fundmi ka plasur videoja e përgjimeve ndërmjet menaxherit Drini Çaushi dhe Emiljano Vilës. Një koment…

– Fjalën e ka Prokuroria dhe unë kam besim te ata. Ajo që donte të bënte menaxheri Çaushi ishte dhe është e turpshme, por në Shqipëri ka shumë Drina. Nga ana tjetër lojtarët të mos merren me përgjime, por të kenë forcën t’i thonë jo që në fillim dhe t’i denoncojnë te presidentët e tyre. Këtë tentativë përgjimi akoma nuk e kam të qartë dhe për fat nuk ndikoj në rezultatin e ndeshjes. Të presim se çfarë do të dalë nga hetimi.

– Do të doje të riktheheshe në pozicionin që kishit te Partizani?

– Kam marrëdhënie të mira me presidentin Demi. Jetës nuk i dihet, por nuk besoj se jam i angazhuar te Hellas Verona.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here