Starova dhe Magani, ka dy rryma te Partizani

Të kuqtë janë të ndarë në dysh. Disa janë të bindur për qëndrimin e Starovës, disa janë të bindur për afrimin e peqinaset. Gjithçka është në ajër

Eraldo Harlicaj

Kam një kungulleshë e ndaj në 3 pjesë. Pse 3? Po sa? 2. Pse 2? Po sa? 10… Ok, më e pranueshme. Në këto dy fjali mund të paraqitet më së miri gjendja e Partizanit në këto momente.

Lojtarët janë pushim, ndërsa drejtuesit janë nën retë e dyshimit për të vendosur të ardhmen e klubit. Tymi i bardhë duket larg, pasi atmosfera është e ngarkuar.

Në fakt, Partizani ka zgjidhur pjesën e stërvitjes, pasi ekipi do të udhëtojë drejt Antalias më datë 8 janar, por nuk ka zgjidhur ende çështjen e trajnerit. Lojtarët nuk e dinë se kush do t’i drejtojë në Turqi.

Klubi për momentin është i ndarë në dy rryma. Mbështetësit e trajnerit Sulejman Starova dhe mbështetësit e teknikut Gugash Magani.
Mbështetësit e “Bobit” janë të bindur se do të jetë ai që do të vijojë në krye të stolit, ndërsa mbështetësit e ish-teknikut të Teutës, flasin për kushte kontraktuale dhe marrëveshje të mbyllura.

STAROVA – Dashamirësit e trajnerit 62-vjeçar në klubin e kuq po bëjnë maksimumin që të vazhdojnë në krye të stolit. Ata janë të bindur se Starova do të vijojë në krye të “demave”. Afrimi i tij solli ngritjen e Partizanit, pasi skuadra mori disa rezultate të mira, ndërsa ka edhe anën tjetër të medaljes. Partizani u mposht me shifrat 5-0 në Gjirokastër, humbja më e thellë në histori. Fakti që “Bobi” është një figurë që ka qenë disa herë në drejtimin e të kuqve, e penalizon. Një frymë e re kërkohet në skuadër.

MAGANI – Mbështetësit e Maganit janë të bindur se klubin e Partizanit mund ta rifreskojë tekniku peqinas. Frymë e re, mentalitet i ri. “Gashi” njihet si një trajner me dorë të hekurt dhe mund të vendosë në rresht për një “gjeneralët” e Partizanit. Rryma që mbështet 52-vjeçarin është e bindur se tekniku ka arritur akordin dhe ka rënë dakord me Partizanin.

Magani i ka dhënë fund me Teutën dhe kjo e favorizon një kalim te të kuqtë.

DEMI – Në fund, ai që vendos është presidenti i klubit Gaz Demi. Numri një i klubit e ka të vështirë, pasi pëlqen dhe i beson Starovës duke qenë se ka një ndër njerëzit e tij më të besuar, por edhe ideja e Maganit e josh jo pak. Publikisht, Demi u shpreh në favor të Starovës, por gjërat ndryshojnë shpejt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *