Stadiumi i Partizanit do të nisë ndërtimin më 4 prill

0

 

“Sport Ekspres” siguron fotot ekskluzive të projektit. Fillimi i punimeve në të njëjtën datë me festën e klubit për 70-vjetorin

 

Eraldo Harlicaj

 

Partizani do të bëhet me stadium të ri dhe tashmë gjithçka është zyrtare. Skuadra 15 herë kampione e vendit ka projektuar dhe ka hedhur edhe në letër planin e stadiumit që do të ndërtohet në hapësirën e marrë me qira për Akademinë. Presidenca e klubit duke menduar për të ardhmen dhe duke marrë parasysh faktin se “Qemal Stafa” do të prishet ka vendosur për t’i dhuruar klubit një impiant të ri modern. Ky stadium do të jetë shtëpia e re e “demave” dhe me ndërtimin e tij të kuqtë nuk do të vuajnë që të gjejnë një stadium për të luajtur dhe të paguajnë për të. Ndërkohë që me ndërtimin e ri ata mund të arkëtojnë edhe nga biletat.

Stadiumi – Ideja e stadiumit prej 4 mijë vendesh është huazuar nga vendet si Sllovenia dhe Hollanda. Klubi ka marrë për shembull Akademi dhe ambiente në këto vende. Stadiumi më pas i është bashkangjitur projektit të mëparshëm për Akademinë. Impianti i ri i Partizanit do të ketë 4000 vende të ulura. Do të jetë super modern dhe do t’i plotësoj të gjitha kushtet bashkëkohore. Fusha do të jetë me bar natyral. Një tjetër veçanti për këtë stadium do të jetë edhe mbulimi i ambienteve ku do të qëndrojnë tifozët. Përreth tij do të ketë edhe qendra biznesi deh fushat e tjera të Akademisë. Tifozeria do të jetë e ndarë në 2 tribuna që janë të vendosura vetëm horizontalisht me fushën dhe nuk do të ketë vende pas portave.

Leja –  Projekti i stadiumit të ri është miratuar edhe nga UEFA. Partizani i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme dhe do t’i zhvilloj të gjitha ndeshjet e kampionatit shqiptar në këtë impiant të ri. Stadiumi mund të përdoret edhe për turneun e “Europa League”, por nuk plotëson kriteret për pjesëmarrjen në “Champions Leagues”. Ndeshjet e këtyre përmasave priten të zhvillohen në stadiumin “Elbasan Arena” ashtu si ekipi i “Skënderbeut”. Ndërkohë, që ndeshjet e një rëndësie të madhe siç janë ato derbi dhe takimet e tjera që tërheqin tifozerinë mund të zhvillohen edhe në impiantin e ri që do të ndërtohet në Tiranë për Kombëtaren. Presidenca e kuqe ka menduar se një numër prej 4000 vendesh është më se i mjaftueshëm për ndeshjet e skuadrës. Ndërkohë që nëse numri i tifozëve rritet atëherë do të ketë edhe punime shtesë. Nëse ky stadium nuk i plotëson të gjitha nevojat e tifozerisë për të ndjekur skuadrën atëherë do t’i kalojë Partizanit B.

Nisja e punimeve – Fillimi i punimeve pritet të jetë më datë 4 prill kur klubi ka menduar edhe organizimin  festës për 70-vjetorin e tij. Kjo është edhe një datë e mirë menduar, pasi do të ishte edhe qershia mbi tortë e kësaj feste.

Mbarimi – Përfundimi i punimeve mendohet të jetë muaji shtator. Sezoni i ri do ta gjejë skuadrën me shtëpinë e saj të re.

 

4

prill është data që do të nisin punimet e stadiumit të Partizanit.  Afati i përfundimit mendohet të jetë muaji shtator.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here