Stadiumet, Kukësi e Kastrioti rrezikojnë shumë!

Shefi i Sektorit të Licencimeve, Eduard Gjini: Nëse nuk plotësojnë kushtet, duhet të gjejnë stadiumet ku do i luajnë ndeshjet. Koha në dispozicion nuk u mjafton

Komiteti Ekzekutiv ka përcaktuar datën 19 gusht për të nisur Kategoria Superiore, ndërkohë që klubet po i nënshtrohen procesit të Licencimit. Një problematikë që ata kanë lidhet me stadiumet dhe janë dy klube që kanë probleme dhe me shumë mundësi nuk do të mund të luajnë në shtëpi. Eduard Gjini, shefi i Sektorit të Licencimeve në FSHF, ka folur në “Supersport” në lidhje me dy stadiumet problematike. “Javën që kaloi Komisioni i Licencimeve në FSHF u mblodh për të diskutuar mbi gjendjen e stadiumeve. Janë lënë detyra për tetë stadiume, mes të cilëve ka probleme. Një nga këta stadiume është ai i Kukësit. Përmasat dhe rrethimi i brendshëm që është afër me fushës janë problem, gjithashtu edhe fusha lë për të dëshiruar. Atje duhet bërë një konstruksion total për përmasat e fushës, zonën e media e të tjera. u është lënë detyrë që të plotësojnë kushtet, ndryshe nuk mund të luajnë në fushën e tyre. Edhe Kastriotit i janë lënë detyrat, ndryshe nuk luan në fushën e vet”.

AFATI – Klubet do të kenë kohë deri më 10 korrik për të plotësuar kushtet, ndërkohë që pesë ditë më pas merret vendimi për licencimin e stadiumeve dhe klubeve. Më pas do të hidhet edhe shorti për Kategorinë Superiore. Momentalisht shembull për sa i takon stadiumeve janë Laçi dhe Teuta, që nuk kanë probleme. Teuta që vitin e shkuar bëri ndërhyrjet e nevojshme, ndërkohë që edhe Laçi i ka plotësuar kushtet, madje aktualisht po e përgatit stadiumin e vet për të luajtur edhe në turin e parë të Europa Ligës. Stadiumet e tjera kanë probleme të vogla. Në Korça duhet zgjidhur problemi me rrethimin e brendshëm të stadiumit, në “Selman Stërmasi” duhet zgjidhur çështja e parkingut, kurse te Kamza duhen bërë ndërhyrje në tribunën kryesore. Alarmante është situata në Kukës dhe Krujë.  “Dhjetë korriku është afati që kanë klubet për t’i bërë meremetimet. Më pas do mblidhemi dhe do të flasim. Problemi më i madh janë Kukësi dhe Kastrioti. Për kohën që kanë në dispozicion, unë mendoj se do e kenë të vështirë t’i plotësojnë detyrat e lëna. Nëse stadiumet nuk i kanë gati, atëherë duhet të paraqitin një kontratë me stadiumin ku do të luajnë”, ka përfunduar Gjini deklaratën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *