Stadiumet bosh në Shqipëri dhe shembulli që vjen nga Benevento

Zero pikë në kampionat, vendi i fundit, e sigurt që me shumë gjasa do bjerë sërish në Serinë B, një ecuri e denjë për të zemëruar tifozërinë, madje deri në kufijtë e bojkotit. Jo, ky nuk është mentaliteti i një tifozerie që e di forcën e skuadrës. Do shkojmë në stadium, të luash në Serinë A është luks i madh. Benevento-Milan, minuta e fundit, portieri lë portën dhe shënon me kokë golin e barazimit. Pas 16 vitesh ndodh diçka e tillë në futbollin Italian. 15 mijë njerëz festojnë sikur të kenë fituar Kupën e Botës. Një mrekulli, vetëm futbolli mund të të sjellë emocione të tilla.

Paralelizmat ndonjëherë prodhojnë debate, por këtë qasje emocioni futbolli shqiptar e ka humbur kushedi pse dhe duhet parë se çfarë duhet bërë për ta rikthyer. Stadiumet janë pothuaj bosh, pavarësisht se kush luan dhe kë ke përballë. Tre shembuj konkretë. Luftëtari, Laçi dhe Kamza. Kamza ndal Skënderbeun, skuadrën më të mirë të momentit në Shqipëri dhe në stadium nuk ka më shumë se 200 tifozë, Laçi mund Partizanin, një emër të madh dhe në stadium mezi numëron 300 vetë. Luftëtari prej dy vitesh bën një futboll të jashtëzakonshëm dhe ndal ekipet e mëdha. Numri i tifozëve në rënie.

Çfarë po ndodh me tifozin shqiptar? Përse ata refuzojnë dalëngadalë të marrin emocionet që prodhon futbolli? A nuk është një fitore kundër Partizanit, Kukësit apo Flamurtarit, një emocion më vete për futbollin e qyteteve të vogla?!

Varfëria nuk është justifikim, 200 lek të reja për një biletë, një herë në dy javë, janë shumë pak, saqë shumë pak njerëz në këtë vend mund të thonë se nuk e përballojnë dot, po të mendosh që shpenzojmë çdo ditë thuajse të njëjtën shifër për kafe.

Mungon spektakli? Nuk jemi anglezë, nuk është se kemi qenë ndonjëherë vend që prodhon futboll spektakolar. Është vrarë besimi, nga manipulimet? Kjo po, qëndron, por shpesh manipulimet janë në mendjet e njerëzve, që edhe Milanin e Realin i akuzojnë se po shesin ndeshjet, kur nuk fitojnë ndaj rivalëve modestë në letër. Ndoshta shumë futboll botëror në televizion na ka dëmtuar, ndoshta edhe mania shqiptare për të kërkuar fatin dhe pasurinë në lotaritë sportive na ka shkatërruar. Dikush do thotë: tifozë ka pak në gjithë rajonin, nuk kemi vetëm ne rënie. E drejtë, por nuk po kërkojmë 10.000 tifozë për ndeshje. Mjaftojnë 2000-3000, në mënyrë që në çdo stadium të ketë atmosferë të ngrohtë dhe lojtarët të jenë edhe më të mobilizuar se zakonisht.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *