Sprinti final Panuçi-De Kanio, vendoset 48 orët e ardhshme

0

 

Buxheti i paracaktuar: s’do të kalojë 360 mijë eurot bashkë me stafin teknik. Ish trajneri i Livornos rikthehet në “pole position”, ndërsa nga Italia shtyjnë më shumë për… ish teknikun e Udinezes

Anton Cicani

Prej datës 15 qershor (dita pas konferencës për shtyp të Xhani de Biazit), stoli i kombëtares së Shqipërisë ka mbetur pa trajner dhe, gjatë këtij muaji, federata ka punuar në fshehtësi dhe duke zhvilluar një sërë takimesh e negociatash, për të gjetur zëvendësuesin e italianit. Shumë emra kanë qarkulluar dhe shumë të tjerë janë aluduar e fantazuar, por e vërteta është se deri tani, presidenti Duka, të paktën në mendjen e tij, kishte vetëm një listë të kufizuar dhe nga e cila nuk ka dalë kurrë.

Nga ajo që “Sport Ekspres” ka mësuar, federata ka negociuar me këto trajnerë, deri tani: Valter Zenga, Kristian Panuçi, Luixhi de Kanio dhe Klarens Sedorf. Gjithë të tjerët që janë thënë dhe cituar ishin pjesë e kastës së atyre trajnervëe apo emrave të sponsorizuar nga menaxherë përreth organit të futbollit në Shqipëri.

Telefonatat – Gjatë kësaj periudhe, mes takimeve sekrete në bllok (Sedorf, De Kanio & Co), presidenti Duka ka biseduar edhe në telefon me protagonistët e mësipërm, duke njohur dëshirën e tyre, gadishmërinë, por edhe kërkesat ekonomike. Telefoni i Dukës ka qenë “I nxehtë” dhe kreu i FSHF-së ka ditur të menaxhojë situatën, edhe pse përpara se të merrte një vendim i është dashur që të konsultohet me shumë agjentë, specialistë futbolli, por edhe me drejtues të federatës italiane të futbollit.

Tavekio – Madje, sipas asaj që ka mësuar gazeta, kreu i FSHF-së ka arritur deri aty sa është konsultuar edhe me kreun e federatës italiane, Tavekio, që i ka dhënë garanci për Luixhi De Kanion. Por, edhe persona të tjerë pjesë e kombëtares axurre kanë siguruar se ish-trajneri i Udinezes është në momentin ideal për të stërvitur një kombëtare.

Duelantët  – Me kalimin e kohës, natyrisht, edhe lista e kontateve të Dukës është tkurrur dhe presidenti tashmë është duke mbajtur distancë me disa trajnerë të sipërpërmendur, ndërsa vetëm me dy është duke negociuar: Kristian Panuçi dhe Luixhi de Kanio. Por, këto orët e fundit, sipas asaj që ka mësuar “Sport Ekspres”, presidenti Duka, që po shtynte drejt De Kanios, ka ndërruar mendje dhe është në mëdyshje: Kristian Panuçi duket sërish në avantazh ndaj De Kanios.

Sprinti final do të jetë në 48 orët e ardhshme, pasi ditën e martë pritet të zgjidhet trajneri i Shqipërisë, pasuesi i Xhani de Biazit. Ndërkohë, si De Kanio, ashtu edhe Panuçi, ende s’kanë vendosur për një skuadër tjetër, pasi presin vendimin e Dukës, që do të vijë së shpejti dhe do të zgjidhë edhe dyshimet e fundit.

Buxheti – Sakaq, sa i përket buxhetit për trajnerin e ri të Shqipërisë, presidenti i federatës shqiptare të futbollit nuk do të mund të shkojë më shumë se 280-290 mijë euro  në vit, teksa këto janë para vetëm për trajnerin dhe jo stafin e tij. Pasi, këtij buxheti do t’I shtohen edhe 70-80 mijë euro të tjera, për një total prej 360 mijë eurosh maksimal.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here