“Sporti në shkolla”, zbret ministren Nikolla në terren

0

 

 

Titullarja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka marrë pjesë në një aktivitet në Shkollën e Kuqe, atje ku është dhënë dhe lajmi i themelimit të Federatës Shqiptare të Sportit në shkolla. Por a mund të qëndrojë bashkë me Federatën e Sportit për të gjithë kur në themel është e njëjta gjë?

 

Gjergj Vyshka

 

“Sporti në Shkolla”, një nga ambiciet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në këtë qeverisje, e ka zbritur në terren ministren Lindita Nikolla, e cila dje ka qenë në një aktivitet në Shkollën e Kuqe në kryeqytet. Aktiviteti në fjalë, të paktën edhe sipas komunikatës për shtyp të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, kishte të bënte me temën:

“Sporti në Shkolla, investim në masivizimin dhe cilësinë e sportit shqiptar”. Përpos prezantimit të risive në kuadër të politikave të ndërmarra në fushën e sportit në shkolla, ministrja Nikolla asistoi në demonstrimin e nismës “Matja e treguesve të masës trupore të të gjithë nxënësve në shkolla”, prezantuar nga zëvendësministri i Sportit, Rauf Dimraj dhe disa mësues të edukimit fizik. Nisma e matjes së treguesve të masës trupore të të gjithë nxënësve në shkolla ka për qëllim krijimin e një “databaze” të dhënash të raportit peshë-lartësi trupore për indeksimin e masës trupore të nxënësit, e cila do të shërbejë si një udhërrëfyes për orientimin e politikave të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në funksion të përmirësimit të shëndetit të fëmijëve shqiptar nëpërmjet edukimit sportiv. Duke theksuar rëndësinë e kësaj nisme, ministrja Nikolla u shpreh se ky moment, është një hap tjetër i rëndësishëm që tregon vullnetin e MAS për ta kthyer sportin në një pjesë themelore të edukimit të brezave si një investim i dyfishtë: në edukim dhe në shëndet. Duke investuar sot 1 dollarë për sportin në moshë të hershme, nesër do të kemi kursyer 3 dollarë për sistemin shëndetësor. Ndaj sigurisht që shtimi i tre orëve të edukimit fizik nuk do të mjaftonte që ne t’i përgjigjeshim cilësisë së shëndetit dhe parandalimit të sëmundjeve për secilin nga nxënësit e kësaj shkolle dhe ata kudo në Shqipëri. Pikërisht platforma e Ministrisë së Arsimit dedikuar kësaj situate të re, jo vetëm është e mirë ideuar, por ajo është edhe e mirë konsultuar me të gjithë specialistët e sportit, apo dhe të shëndetit në vend. Ajo do të implementohet në të gjitha shkollat e Shqipërisë, çka do bëjë që ora e edukimit fizik të lidhet me një jetë të shëndetshme për të gjithë nxënësit”, u shpreh Ministrja Nikolla. Ministrja e Arsimit informoi se qeveria shqiptare ka investuar edhe në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës së terreneve sportive, duke ndërtuar 44 të tilla në qytetet kryesore të vendit. Këto terrene sportive do të vihen jo vetëm në shërbim të nxënësve, por edhe të komuniteteve dhe prindërve në kudër të projektit për kthimin e ambientit të shkollës në një qendër komunitare. Nëpërmjet bashkëpunimit shkollë-prindër-komunitet synohet një performancë për një jetë më të mirë e të shëndetshme, për më shumë edukim fizik, për më shumë aktivitete sportive.

 

Themelimi i Federatës

së Sportit në Shkolla

Ministrja Nikolla lançoi gjithashtu nismën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të themeluar Federatën Shqiptare të Sportit në Shkolla: “Më lejoni t’ju bëjë me dije një lajm të mirë. Shumë shpejt ne finalizojmë ngritjen e Federatës Shqiptare të Sportit në Shkolla, që do të jetë një mundësi krejt e re jo vetëm për të na anëtarësuar në Federatën Evropiane të Sportit në Shkolla, e më pas në atë botërore, por ajo që është më e rëndësishme për ta vendosur procesin e futjes së 3 orëve të edukimit fizik në të gjithë sistemit tonë paraunivesitar, në një proces me baza shkencore dhe që shumë shpejt do të përkthehet në një situatë të re që lidhet me shëndetin në tërësi të të gjitha brezave”, u shpreh ministrja Nikolla. Në drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit janë ngritur shoqatat sportive të shkollave në sistemin arsimor para-universitar, proces i cili do të vijojë me krijimin e kësaj Federate Kombëtare. Paralelisht po krijohen kushtet për ngritjen edhe të Federatës së Sportit në Universitete, si pjesë e harmonizimit të reformave në të gjithë sistemin arsimor. Mirëpo a mund të qëndrojnë të dyja paralelisht në kushtet kur në Shqipëri ekziston Federata e Sportit për të gjithë me president Albert Karriqi dhe sekretare Majlinda Pilinci. Në themel janë e njëjta gjë, por gjithsesi tashmë duket se po bëhet fakt krijimi i Federatës Shqiptare të Sportit në Shkolla…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here