Sporti i Tiranës, për të gjithë kryeqytetasit

0

 

Nga Viron Bezhani

Gjatë muajve të fushatës për Bashkinë e Tiranës, duke qenë në krah të Erion Veliajt në takimet me komunitetin e sportit hodhëm disa nga bazat e asaj që do të jetë e ardhmja sportive e kryeqytetit. Askush në 4 vitet e fundit nuk dëshironte të ndryshonte diçka në këtë drejtim. Sporti shihej si shtojcë e një kryetari që nuk u fut asnjëherë në derën e një palestre sportive, shpërdoroi fondet e sportit dhe që nuk dëgjoi asnjëherë problemet e komunitetit të sportit të kryeqytetit. Sot është e nevojshme më shumë se kurrë që sporti të shtrihet në çdo shkollë, duke punuar me nxënësit dhe mësuesit, për të nxjerrë talentet që nesër do të krenojnë kryeqytetin dhe skuadrat e Tiranës, Partizanit, Dinamos, Studentit etj. Duhen shtuar aktivitetet sportive të Bashkisë mes shkollave 9-vjeçare e të mesme, aktivitete që kanë si qëllim zbulimin e talenteve nga klasat sportive. Mësuesit e fizkulturës të mos jenë thjesht mësues që bëjnë orët e edukimit fizik, por edhe të përcjellin edukatën e kulturën sportive te fëmijët. Mësuesit duhet të ndihmojnë në ngritjen e ekipeve të shkollave në sporte të ndryshme. Mbështetja financiare është e rëndësishme për të bërë sport në kushtet e sotme dhe kjo mbështetje sportit kryeqytetas nuk i ka munguar shumë. Por shpesh ato fonde kanë shkuar në destinacion tjetër, pa ditur kurrë se ku dhe askush nuk ka dhënë llogari për ato fonde që ishin caktuar për sportistët, trajnerët, për projekte apo terrene sportive. Me më shumë mbështetje financiare, ekipet e kryeqytetit do të arrijnë objektivat e tyre për të dalë kampionë dhe për të sjellë sa më shumë tifozë në stadium. Bashkia duhet të ecë përpara me projekte konkrete për sportin, për zhvillimin e tij, masivizimin e tij, si në atë të ekipit të Tiranës (në të gjitha disiplinat sportive) ashtu dhe atë të gjithëpërfshirjes në sport të komunitetit e çdo grupmoshe. Dhe këtë mund ta bëjë edhe duke përdorur terrenet sportive të shkollave, të cilat duhet të vihen në funksion të komunitetit pas përfundimit të orëve të mësimit. Aty mund të punojnë mësuesit e fizkulturës apo trajnerë të rinj që dalin nga Universiteti i Sporteve dhe që nuk gjejnë hapësira e që punojnë me komunitetin.

  1. Erjon, ju u angazhuat për zbatimin e ligjit për të gjitha shkeljet që janë bërë në Bashkinë e Tiranës, por edhe në sportin kryeqytetas. Ky do të ishte një fillim i shkëlqyer për ju në detyrën e kryetarit, pasi duke zbatuar ligjin dhe kërkuar llogari ndaj atyre që e shkelën atë do t’ju ndihmojë edhe juve të ecni në rrugën e duhur dhe të mos përsërisni gabimet e paraardhësve. Pra, për problemet kryesore të sportit kryeqytetas dhe atij shqiptar sot kemi orientimin e duhur se nga duhet të shkojmë për të zhvilluar sportin. Problematika që i kemi ngritur gjithnjë, por që nuk kanë gjetur mbështetjen dhe dëshirën për t’i zgjidhur nga drejtuesit e paaftë të Bashkisë, e cila i ka vënë çelësin sportit. Ato probleme tashmë janë për t’u zgjidhur nga drejtuesi i ri, në bashkëpunim me të gjithë aktorët që treguan gjatë fushatës se e duan sportin, duan zhvillimin e tij, për një Tiranë sportive dhe të kulturuar, që di të fitojë, pasi ka zgjedhur drejtimin e duhur për të bërë sport.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image