Spektakël i Lionit, pa fitues derbi gjerman

0

U luajtën sot ndeshjen e vajtjes për 1/8-at në Europa League. Ndeshje spektakolare në Lion me francezët që fitojnë 4-2, por gjithçka mbetet e hapur për takimin e kthimit.

Mbrëmja ka rezervuar dhe dy derbi në Ligën e Evropës. Në Gjermani, Shalke dhe Gladbahu janë përballur mes tyre, teksa në Belgjikë, Genti dhe Genku kanë matur forcat.

Spektakël në Lion, francezët përmbysin Romën

Lioni dhe Roma kanë dhuruar një ndeshje spektakolare sot në mbrëmje, në takimin e vajtjes të vlefshme për 1/8-at e finaleve në Ligën e Evropës. Në fund kanë fituar francezët 4-2, të cilët kanë përmbysur Romën në pjesën e dytë. Italianët kanë pësuar të parët, teksa Lioni ka shënuar me Diakabi pas vetëm tetë minutash lojë. Roma ka përmbysur rezultatin që në pjesën e parë me golat e Salah (20’) e Fasio (33’). Por fjalën e fundit e ka pasur Lioni, që në 45 minutat e dyta ka dominuar duke përmbysur gjithçka falë golave të Toliso, Fekir i futur në fushë në këtë pjesë, dhe Aleksandre Lakazet.

Paqe në Gjermani

Derbi gjerman është pritur me mjaft interes dhe në fund Shalke dhe Borusia Mënçengladbah janë ndarë në barazim 1-1. Fati i takimit është vendosur në pjesën e parë, kur Jonas Hofman i ka dhënë epërsinë Gladbahut pas 15 minutash lojë. Për Shalken ka barazuar 10 minuta më tej Guido Burgshtaler.

Genku mbyll kualifikimin

Nuk ka pasur aspak histori në derbin tjetër të mbrëmjes, atë në Belgjikë mes Gentit dhe Genkut. Dominimi i Genkut ka qenë absolut dhe miqtë kanë fituar 5-2 duke siguruar që në takimin e parë një vend për në çerekfinalët e Ligës së Evropës. Genku ka mbyllur llogaritë me kualifikimin që në pjesën e parë kur ka triumfuar 4-1 falë golave të Malinovskit (21’), Kolej (33’), Samata (41’) dhe Uronen (45’). Për vendasit kishte shënuar golin e barazimit të përkohshëm Samuel Kalu (27’). Në pjesën e dytë Kulibali (61’) ka shkurtuar më tej diferencën në 2-4, por Samata (72’) ka shënuar golin e dytë të mbrëmjes dhe të pestin për Genkun që me sa duket ka prerë biletën për më tej.

Beteja e Ballkanit mbyllet në barazim, fiton Selta

Në barazim 1-1 është mbyllur dhe derbi i Ballkanit mes Olimpiakosit dhe Beshiktashit. Takimi i luajtur në Pire ka dhuruar plot emocione, por nuk ka nxjerrë fitues, teksa kualifikimi do të vendoset javën e ardhshme në Stamboll. Pjesa e parë është mbyllur 1-0 për grekët që kanë realizuar me anë të Esteban Kambiasos (36’). Për turqit ka barazuar në pjesnë e dytë Vinsent Abubakar (53’). Në ndeshjen tjetër të mbrëmjes, Celta Vigo ka mundur Krasnodarin që eliminoi Partizanin me shifrat 2-1.

Junajtid, gjysmë hapi në Rusi

Mançester Junajtid ka hedhur një gjysmë hapi drejt çerekfinaleve në Ligën e Evropës pasi ka barazuar 1-1 në Rusi përballë Rostovit. Skuadra e Zhoze Murinjos i është përshtatur mjaft mirë kushteve aspak të përshtatshme të terrenit të lojës dhe ka dalë nga transferta ruse me një barazim me gola që jep shpresë për takimin e kthimit pas një jave në “Old Trafford”. Henrik Mikitarian ka shënuar në pjesën e parë për Junajtidin, teksa Bukarov ka barazuar në pjesën e dytë për rusët.

Ajaksi bie në Kopenhagen

Në Kopenhagen, skuadra vendase ka mundur Ajaksin 2-1, por goli i shënuar nga Dolberg jep shpresë për holandezët. Kopenhageni e ka nisur me gol takimin, ku ende pa u mbyllur minuta e parë Falk ka shënuar për danezët. Reagimi i Ajaksit nuk ka vonuar dhe në minutën e 32-të Kasper Dolberg ka barazuar shifrat. Gjithsesi në pjesën e dytë vendasit kanë gjetur forcë dhe Kornelius (60’) ka shënuar golin e fitores. Pas një jave pritet betejë në Amsterdam, ku Ajaksit i mjafton një fitore minimale 1-0 për të shkuar më tej.

Anderlehti pa probleme në Qipro

Anderlehti ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit për në çerekfinalet e Ligës së Evropës pasi ka fituar në Qipro përballë Apoelit me shifrat 1-0. Vendimtar ka qenë goli i Nikolae Stançiu në pjesën e parë (29’). Apoeli ka ushtruar presion në kërkim të golit të barazimit, por pa ia dalë.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here