SPECIALE: Tre mbrojtës, frikë apo risk?

0

Sistemi 3-4-3/3-5-2 zyrtarisht ka kaluar kufijtë e Italisë, duke u bërë “modë” në Mançester, Londër dhe Barcelonë. Dilemat e një rreshtimi “të ngjizur” nga fryma ofensive në Amerikën Latine, i transferuar në çizmen e “katenaços”, për t’u dhënë formë sërish skuadrave elitare, e rrjedhimisht sulmuese, të kontinentit të vjetër

Markoled PASHUKU

Katër skuadra të mëdha evropiane prej disa javësh kanë përdorur sistemin me tre mbrojtës qendre (3-4-3 ose 3-5-2). Rastësi? E vështirë! Po sikur të jetë nisja e një “trendi” të ri, tashmë në gjithë Evropën dhe jo vetëm në Apenine dhe Amerikën Latine? Edhe kjo, shpejt për t’u thënë! Epo, çfarë është, pra? Le të përpiqemi ta shpjegojmë duke “sfumuar” dilemat e dekadës së re: ky sistem është ofensiv apo difensiv?

celsi-3-4-3
Çelsi, me 3-4-3

Juventusi dhe Çelsi në të shumtën e rasteve sivjet kanë luajtur me tre mbrojtës qendre. I pari me 3-5-2, i dyti me 3-4-3. Mos u nxitoni, dihet se nuk është aspak surprizë. Këtë binom e bashkon një emër: Antonio Konte, një fanatik i këtij moduli (ndonëse sivjet ka provuar edhe rreshtimet 4-3-3 dhe 4-2-4). Tani kujdes, prisni dyshen tjetër: Barcelona dhe Mançester Siti! Po, edhe këto dy ekipe në disa ndeshje të caktuara këtë sezon kanë luajtur me sistemin e bazuar në tre qendërmbrojtës, por në forma të ndryshme. Trajneri asturian Luis Enrike, faktikisht, është detyruar prej mungesave, aq sa ka spostuar Havier Maskeranon, ish-mesfushorin qendror të kthyer prej vitesh në qendërmbrojtës, në krahun e djathtë të mbrojtjes me tre. Si anësorë ai ka preferuar Sergi Roberton në të djathtë dhe Xhordi Albën në të majtë. Ndërkohë, ish-tekniku i katalanasve, Pep Guardiola, te “Qytetarët” ka eksperimentuar – ashtu si te Bajerni – me sistemin befasues. Kompani-Stons-Kolarov kanë formuar mbrojtjen e qendrës, ndërsa në krahë Pep ka pozicionuar Leroi Sanenë dhe David Silvën, mesfushorë shumë ofensivë.

juventus
Juventusi, me 3-5-2

Serie A – Në Itali, ka disa vite që rreshtimi 3-4-3/3-5-2 përplas ide dhe filozofi loje. Antonio Konte dhe Valter Maxarri janë “akuzuar” si trajnerë tepër mbrojtës, teksa preferojnë të luajnë praktikisht me pesë mbrojtës dhe një mesfushor gjithashtu me tipare mbrojtëse. Një nga arsyet pse italiani la “Zonjën e vjetër” ishte presioni i tifozëve për të rreshtuar skuadrën me 4-3-3, sidomos në Ligën e Kampionëve, që loja të bëhej më sulmuese, e denjë për një klub që synon trofeun e kampionit të Evropës. Konte kërkoi Huan Kuadradon për ta përdorur si gjysmëmbrojtës të djathtë, por Juventusi nuk ia siguroi. Kështu, ai u largua, për t’u zëvendësuar nga Masimiliano Alegri. Ironia e fatit ndodhi kur ky i fundit arriti të sigurojë shërbimet e kolumbianit, një “mollë sherri” ndërmjet paraardhësit të tij dhe klubit, por – edhe pse pati premtuar se me kalimin e muajve do ta rreshtonte skuadrën në 4-3-3 – ai vijoi me të njëjtin modul, 3-5-2, duke e ndryshuar shumë rrallë. Pra, në Itali, qasja është që kur luan me 3-4-3/3-5-2, e bën për t’u mbrojtur.

barcelona
Barcelona, me 3-4-3

Bajerni – Në vitet e fundit, laborator i eksperimenteve me sistemet ka qenë Bajerni i Pep Guardiolës. Në tre sezone, katalanasi ka luajtur me çdo sistem të mundshëm, përfshirë ato me tre mbrojtës qendre. Ajo që duhet theksuar në këtë destinacion idesh, është se, në të shumtën e rasteve, 45-vjeçari këtë sistem e ka përdorur për të sulmuar, për të shtuar alternativa në ofensivë si përgjigje ndaj lojës tepër mbrojtëse të skuadrave të vogla. Këtë e tregon fakti që, ndryshe nga Juventusi (me mbrojtës si Stefan Lihshtajner dhe Aleks Sandro), Pep ka pozicionuar si gjysmëmbrojtës (piston) të djathtë Arjen Robenin, një lojtar sulmues.
Van Gal – Sistemi me tre mbrojtës ka edhe synime të ndërmjetme, as mbrojtëse – as sulmuese. Luis van Gal arriti deri në vendin e tretë në Kupën e Botës 2014 me Holandën duke luajtur me tre qendërmbrojtës. Fillimisht, atij i duhej të zbehte mangësitë në repartin e mbrojtjes, por arsyeja kryesore pse vendosi të luante me (praktikisht) pesë mbrojtës ishte nxjerrja në pah e dy sulmuesve të tij, Arjen Roben (mesfushor i kthyer në sulmues, më saktë) dhe Robin van Persi. Pra, Van Gal e përdori këtë sistem për të luajtur me kundërsulme.

siti
Man. Siti, me 3-4-3

Përfundimi – Është shumë e vështirë të përcaktosh nëse sistemi me tre mbrojtës qendre është me prirje ofensive apo difensive. Natyrisht, me 3-4-3/3-5-2, kur skuadra nuk ka topin, mbron me pesë lojtarë. Kur nuk e ka topin, skuadra sulmon me 3 sulmues dhe dy anësorë ofensivë, pa harruar minimumi njërin mesfushor qendror (me 3-4-3) dhe dy mefushorë qendrorë (6-sh dhe 8-sh ose 8-sh dhe 10-sh) me 3-5-2. Shpjegimi më i gjithëpranuar i kësaj dileme është se gjithçka varet nga interpretimi në fushë dhe lloji i lojtarëve të cilët aktivizohen në krahë. Më qartë, nëse sistemi 3-4-3 formohet duke luajtur me anësorët David Alaba-Arjen Roben, loja është ofensive. Nëse treshja e sulmit formohet nga dy mesfushorë tipikë krahu (Eshli Jang-Antonio Kandreva), loja nuk është edhe aq ofensive. Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me cilësinë …


Kronologjia

Në nivel ndërkombëtar, sistemi me tre mbrojtës qendre është përdorur nga trajneri Karlos Bilardo që në vitin 1983. Ai mori përgjegjësinë për të drejtuar Argjentinën dhe zhvilloi një sistem 3-5-2 me katër lojtarë të organizuar në formë rombi. Më saktë, ky rreshtim ishte 3-5-1-1, ku katër mesfushorët (tre të qendrës dhe trekuartisti) formonin një romb. Me këtë ide, Bilardo krijoi sistemin perfekt për të rehatuar sa më mirë yllin e skuadrës, Diego Maradona. Faktikisht, Argjentina e asaj kohe ishte tmerrësisht ofensive dhe tekniku tha: “Ç’më duhen mbrojtësit e krahut? Më mirë mesfushorë!” Sigurisht, ai pati sukses. Në vitin 1986 fitoi Kupën e Botës.

karlos-bilardo
Karlos Bilardo, ideatori i sistemit me tre mbrojtës qendre

“Katenaço” – Evropa e mori shumë shpejt këtë ide. Stili italian i quajtur “katenaço” zakonisht kishte një “libero” (mbrojtës qendre i lirë në detyra), një qendërmbrojtës të majtë markues, një qendërmbrojtës të djathtë markues, një mbrojtës të majtë sulmues dhe një mesfushor të djathtë i cili kthehej kur ishte e nevojshme. Ky i fundit quhej “tornante” dhe nuk u desh shumë kohë që të kthehej edhe më shumë në mbrojtje. Me kalimin e viteve, ky pozicion u emërtua “anësor i djathtë i kthyer”.
Bekenbauer – As Gjermania nuk mbeti pas në përdorimin e një sistemi të ngjashëm me atë të Bilardos. Që nga Kupa e Botës 1974, gjermanët luanin me 3-3-1-2, shpesh me një “libero” sulmues dhe me/ose mbrojtës krahu. Në vitin 1986, trajneri Franc Bekenbauer (Gjermania Perëndimore), në varësi të kundërshtarit, nisi të kthente mbrapa një nga mesfushorët e tij qendror, derisa në finalen e Botërorit mbrojtja e “pancerave” formohej nga një “libero”, dy markues dhe dy mbrojtës anësorë sulmues. Pjesa tjetër e rreshtimit vazhdonte me dy mesfushorë qendre, një organizator (trekuartist – më vonë) dhe dy qendërsulmues. Pra, 3-5-2. Ky sistem u bë shumë i përdorur në vitet ‘90, madje edhe Anglia, një fanatike e sistemit 4-4-2, e provoi disa herë.
Rikthimi – Formacioni me tre mbrojtës qendre u rikthye pas shumë vitesh në “modë”. Në finalen e Ligës së Kampionëve të vitit 2005, trajneri Rafa Benitez i surprizoi të gjithë në pjesën e dytë kundër Milanit duke rreshtuar Liverpulin e tij me 3-4-3. Rezultati: tre gola! Në Serie A mund të thuhet se Napoli ishte “foleja” e parë konstante e kësaj ideje, me trajnerë si Edi Reja dhe Valter Maxarri, por moduli me tre u përdor masivisht edhe nga shumë skuadra italiane, si Juventusi dhe Interi. Madje, edhe nga kombëtarja.


Një 3-3-1-3 nga “I çmenduri” Bielsa

Marcelo Bielsa (entraineur marseille)
Marselo Bielsa, gjeniu me pesë nxënës

Pasardhësi i fronit “Karlos Bilardo”, me mbrojtjen treshe, është Marselo Bielsa. Ai është një trajner gjenial, i njohur kudo si “I çmenduri”, për shkak se është tërësisht i paparashikueshëm në taktika, sjellje dhe vendime. Bielsa ka bërë epokë, ndonëse pa trofe, me sistemin e tij radikal 3-3-1-3, të cilin e përdori fillimisht në Amerikën Latine (Njuëlls Old Bojs, Atlas, Amerika dhe Velez), ashtu si edhe tek Espanjoli dhe tek Atletik Bilbao. Vetëm në Francë, te Marseja, ai preferoi të luajë me 4-2-3-1. Pavarësisht ndryshimit të numrave, filozofia e tij nuk ndryshon. “Çmenduria” e lojës së Bielsës arriti kulmin me kombëtaret e Argjentinës dhe Kilit (1998-2004, 2007-2011). Skuadrat e tij luajnë me një intensitet të pabesueshëm, vrapojnë pa pushim dhe kanë dinamikë të pashembullt. Ky stil loje kurrë nuk mund të aplikohet për 90 minuta, sepse është sfilitës. Kjo është arsyeja pse ekipet që ai stërvit e nisin shkëlqyeshëm ndeshjen, por më pas bien.
“Dishepujt” – Bielsa ka ndryshuar jetën e pesë trajnerëve, të gjithë nxënës të tij. Ata janë Horge Sampaoli, Mauricio Poçetino, Eduardo Perizo, Gerardo Martino dhe Pep Guardiola. Leksionet e tij janë unike; ai studion për orë të tëra taktika, ide dhe stile loje, gati për të shpikur “hite” në botën e skemave. Pa frikë mund të thuhet se Bielsa është një Johan Krojf modern.


“E zhdukën trekuartistët, por sot është një realitet”
Zv/trajneri i kombëtares shqiptare, Tramexani, shpjegon në detaje mbrojtjen me tre. “Saki solli ndryshimin në Itali. Gjimshiti dhe Mavraj e kanë mësuar si modul”

Zv/trajneri i ekipit Kombetar Shqiptar, Paolo Tramezzani, gjate nje seance stervitore, prane fshatit Bad Waltersdorf ne Austri, ku eshte vendosur ekipi Kombetar Shqiptar i futbollit, i akomoduar ne resortin Thermal & Golf Hotel Bad Waltersdorf, per fazen pergatitore per Euro 2016 qe do te zhvillohen ne France. /r/n/r/nAlbania's vice coach, Paolo Tramezzani, during a training session, near the village Bad Waltersdorf, where the Albanian National Soccer team is accommodated at the resort, Thermal & Golf Hotel Bad Waltersdorf in Austria during the preparations for the France Euro 2016.
Paolo Tramexani, gjatë një seance stërvitore të kombëtares shqiptare pranë fshatit Bad Valtersdorf, Austri

Nëse ka një njeri i cili mund t’i japë zgjidhje çdo pyetjeje nga futbolli, ai është Paulo Tramexani. Asistenti i trajnerit Xhani De Biazi dhe drejtori i ekipeve kombëtare shqiptare analizon çdo javë Serinë A në “Domenica Sportiva” (“E diela sportive”), duke i mbajtur futbolldashësit italianë si magnet para televizionit. Sot është e premte, por ai, gjithsesi, pranoi të shpjegojë disa nga idetë e tij lidhur me temën “Sistemi me tre mbrojtës qendre”, i pyetur nga “Sport Ekspres”. Në intervistën tonë me të, tekniku zbërthen si lindi ky modul në Itali, si u la gati në harresë për vite të tëra dhe cilat janë tiparet e një skuadre e cila rreshtohet kështu. Përveç kësaj, ai komenton ecurinë e dy lojtarëve kuqezi, të cilët aktualisht po luajnë me këtë sistem, Mërgim Mavraj dhe Berat Gjimshiti.
– Mister, vështirë se ju ka shpëtuar fakti se disa skuadra të mëdha evropiane javët e fundit kanë luajtur me tre mbrojtës qendre. Ç’mendoni për këtë?
– Po, të flasim hapur. Kjo është një skemë e cila po rikthehet fuqishëm në modë në mbarë Evropën, por sidomos në Itali, pas një periudhe të gjatë që nuk ishte përdorur. Madje, që nga vitet ’90, kur mbrojtja bëhej zonale. Ky modul vihet në praktikë me 3-4-3 apo 3-5-2. Edhe pse në kthim bëhet me katër apo me pesë lojtarë, kjo pak ndryshim ka, sepse, përtej punës së mesfushorëve, nëse baza është me tre, është taktika kolektive ajo që ndryshon.
– Dhe çfarë ndodhi? Pse pritëm rreth dy dekada për këtë sistem?
– Asokohe u vu në dyshim, sepse shumë skuadra luanin me trekuartistë dhe shfrytëzonin krahët për të qenë superiorë ndaj kundërshtarit, kur ai luante me tre mbrojtës qendre. Dhe trajnerët u përshtatën. Gjithsesi, tani është bërë një realitet.
– Në këtë rast, anësorët është mëkat t’i kufizosh me termin “mbrojtës krahu”. Si duhet të jenë ata?
– Sipas meje, për të praktikuar këtë lloj mbrojtjeje, duhet të kesh mbrojtës krahu të aftë, sepse duhet të shtyjnë skuadrën përpara, por edhe të kthehen për të mbrojtur. Në këtë kuptim, trajnerët duhet të përpiqen të përdorin sisteme që nuk kërkojnë mbrojtës tipikë krahu. Këtu absolutisht nuk duhet të ngatërrojmë mbrojtjen tek për tek.
– Në Serie A gjithçka nisi me mjeshtrin Arrigo Saki, apo jo?
E vërtetë. Ndryshimin më të madh në mbrojtjen zonale e solli Saki me sistemin 4-4-2, që është edhe skema më e përdorur në zonën “mikse” dhe solli një mënyrë tjetër për të interpretuar “katenaçon” italiane. Kjo parashikonte një mbrojtës të lirë (“libero”), dy markues tek për tek, stoperin dhe mbrojtësin e krahut. Ata mbulonin njëri-tjetrin dhe ndryshonin lojtarin të cilin duhet të markonin sipas mekanizmave që përdorte mbrojtja zonale.
– Ç’ndryshim ka mbrojtja zonale nga ajo me tre?
– Dallimi është pamundësia fizike që me tre lojtarë të mbulosh në mënyrë të përshtatshme hapësirat e mëdha të zonës. Në fazën mbrojtëse është e nevojshme të përdorësh linjën me një mesfushor krahu, i cili kthehet te krahu më i dobët ose më pak i mbuluar (mund të mbesë nga mesfusha) dhe, pavarësisht se ku është topi, dy mesfushorët e krahut duhet të kthehen për të mbuluar hapësirat pas.
– Dhe ky kthim në krahun më të zbuluar u konsiderua i tepërt. U kuptuam?
– Pikërisht! Asokohe mbrojtësit duhet të markonin vetëm një sulmues, prandaj. Sot, për mënyrën se si interpretohet futbolli, loja totale bën që lojtarët të cilët paraqiten në ndihmë të sulmit, ashtu si edhe ata të mbrojtjes, të jenë të shumtë. Pra, nëse ke të bësh me një pykë, kthimi pas i mesfushorëve mund të krijojë inferioritet numerik në mesfushë dhe do të ishte i pavlerë, por nëse ke të bësh me dy sulmues, sigurisht që ata duhet të kthehen kur topi është në njërin krah.
– Po kur topi është në zotërim të mesfushorëve qendrorë kundërshtarë, ç’duhet të kemi parasysh?
(Mendohet.) Mbrojtësit e krahut duhet të ngjiten më lart dhe të jenë më pranë mesfushorëve. Kjo, për kontroll më të mirë të hapësirave. Duhet të jesh i zoti të bësh disa lëvizje shkallëzuese, në mënyrë që të dish se ç’të bësh kur mesfushori yt humbet topin ose ia marrin.
– Mister, aktualisht kemi dy mbrojtës kuqezi të cilët janë pjesë e skuadrave të cilat luajnë me këtë rreshtim, Berat Gjimshiti (Avelino) dhe Mërgim Mavraj (Këln). Cilat janë përshtypjet tuaja për performancat e tyre në një modul kaq autentik?
– Me trajnerin e Avelinos, Domeniko Toskano, kam qenë shok skuadre. E njoh shumë mirë. Ai gjithnjë ka luajtur me tre mbrojtës qendre, si për shembull te Ternana dhe Novara. Aktualisht skuadra po ecën mirë. Gjimshiti është përshtatur shumë shpejt. Ai është mbrojtës i kujdesshëm dhe vendimtar në ndërhyrje. Për Mavrajn mund të them se ai nuk e ka aspak problem këtë modul, sepse ka përdorim të mirë topi. Sivjet po tregon se sa i rëndësishëm është për skuadrën: po luan gjithmonë.
– Mbrojtjen me tre e keni përdorur edhe në kombëtare. Ç’mund të thoni për këtë ndryshim?
– Po, në dy raste, me Marokun në miqësore dhe me Maqedoninë. Në sfidën me maqedonasit në shumicën e ndeshjes mbrojtëm me tre lojtarë, por më pas e ndryshuam skemën duke futur në lojë Bekim Balajn. Me të u kthyem në sistemin me katër mbrojtës. Mund ta provojmë sërish. Varet nga kundërshtari.
– Faleminderit, mister! Kënaqësi të marrësh leksione nga ju.
– Kënaqësia është e imja.


Nga Superiorja
Magani: Jam penduar që luajta me 3-4-3 në derbi!
Trajneri peqinas e sheh tepër ofensiv këtë sistem, ndryshe nga homologu i tij te Skënderbeu, Agostineli. “Ky rreshtim të lejon të mbrosh në 70 metra të fushës”

magani[1]
Gugash Magani, kur stërviste Tiranën
Në kampionatin shqiptar, sistemi me tre mbrojtës nuk është i preferuar nga trajnerët. Aktualisht, skuadrat e Kategorisë Superiore luajnë me rreshtim 4-2-3-1 ose 4-3-3. Rasti më i fundit konkret dhe një ndeshje për t’u mbajtur mend, kur një ekip shqiptar është vendosur në 3-4-3, është Tirana në derbi me Partizanin. Kjo sfidë është e datës 4 maj 2015, kur trajner i bardhebluve ishte Gugash Magani. I pyetur në “Sport Ekspres” për këtë ndryshim të tij, peqinasi zbuloi (me siguri për herë të parë) se është penduar që aplikoi një rreshtim të tillë. “E mbaj mend shumë mirë. Për të befasuar disi kundërshtarët, preferova të luaja me tre qendërmbrojtës, sepse – mbi të gjitha – doja të fitoja sa më shumë terren

123
Formacioni i Tiranës në derbin e 4 majit 2015, me sistemin 3-4-3

në fushë dhe të kishim superioritet numerik. Pavarësisht rezultatit, në pjesën e parë e interpretuam mirë, por krejt ndryshe ndodhi në 45’ e dyta. Skuadra humbi ekuilibrin për disa minuta dhe ky ndryshim nuk na doli siç e pritëm. Jam penduar, e pranoj”, – u shpreh tekniku, duke shtuar se “skuadra e provoi këtë sistem vetëm një ditë para ndeshjes”. Duket qartë se ky rreshtim është shumë specifik dhe si i tillë kërkon angazhim dhe përshtatje. Magani gjithashtu shpjegoi shkurtimisht perceptimin e tij mbi këtë modul loje. “Për mua përdoret kryesisht nga skuadrat e mëdha, pasi është sistem që të krijon më shumë mundësi ndaj skuadrave të kthyera në mbrojtje. Këtë s’mund ta bësh për gjithë sezonin, duhet të kesh cilësinë e skuadrave si Bajerni apo Barcelona”, – nënvizoi trajneri aktual i Teutës.

agostineli-1-1
Andrea Agostineli

Agostineli – Për të marrë një mendim tjetër brenda kampionatit shqiptar, “Sport Ekspres” pyeti edhe trajnerin e Skënderbeut, Andrea Agostineli, i cili – ndryshe nga Magani – sistemin me tre mbrojtës e sheh më tepër difensiv dhe jo karakteristik për skuadrat e mëdha. Gjithsesi, italiani bie dakord me homologun e tij në lidhje me faktin që ky rreshtim nuk mund të jetë konstant. “Unë mendoj se është vetëm një sistem i çastit. Gjithsesi, them se mbrojtja me tre, si çdo modul tjetër, ka argumentet pro dhe kundër. Sigurisht që kur topin e ka kundërshtari skuadra mbron me pesë, duke marrë parasysh faktin që dy anësorët kthehen. Për mua, mbrojtja me tre në veçanti është e fortë në qendër, jo domosdoshmërisht në krahë. Në aspektin mbrojtës, sigurisht që ky modul është më i mirë, sepse të lejon të mbrosh në 65-70 metra të fushës, gjë që me katër (mbrojtës) nuk e bën”, – shpjegoi 59-vjeçari.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here