Speciale/ “Stadiumet e Superiores të mbushen me të moshuar dhe fëmijë”, çfarë ndryshimi mund të ketë?

Nga Klaudio Ndreca

FSHF mbetet ende në pritje të një përgjigje nga ana e Qeverisë, sa i përket vazhdimit të futbollit të Superiores. Kështu është hartuar një plan i mirëmenduar si në të gjitha shtetet, ku fillimisht projektohet dalja në stërvitje.

Madje edhe në Italinë që është shteti më i prekur, vetë Qeveria ka dhënë zyrtarizimin që në datën 4 maj do të kemi stërvitje individuale. Ndërkohë në vendin tonë përpos një mungese ndihme me para kundrejt futbollistëve, nuk kthehet asnjë përgjigje edhe për vazhdimin e futbollit nga shteti. Megjithëse thuhet se Shqipëria është një nga vëndet më pak të prekura nga pandemia në Europë falë masave të marra.

Ajo që pritet është kthimi i futbollit të Superiores pa tifozë. Por kur shohim planin e ri të hartuar nga ana e Qeverisë për të shtunën dhe të dielën, atëherë mund të gjejmë edhe një zgjidhje tjetër. Pra të shtunën dalin vetëm të moshuarit, ndërsa të dielën fëmijët me një prej prindërve të tyre, pasi në shumë raste dalin edhe baballarët, e jo vetëm mamaja.

Foto të ndryshime si ato më poshtë(marrë nga gazetari Mentor Kikia) tregojnë qartë një numër të madh njerëzish që grumbullohen në fundjavë. Atëherë meqë fundjava kthehet në këtë mënyrë dhe virusi nuk është më një frikë kërcënuese, përse këta njerëz të mos shkojnë në stadium, çfarë ndryshimi mund të ketë? Pikërisht ai orar që lejohet edhe për të dalë në rrugë ku shpeshherë gjenden të ulur, të shkojnë për të parë një ndeshje futbolli. Gjithashtu të mendohet edhe distanca, pra që të qendrojnë me dy metra nga njëri-tjetri në karrige. Kështu do të ketë më pak tifozë, por nga ana tjetër lojtarët nuk do gjenden të braktisur dhe do të përjetojnë më tepër emocione. /Sport Ekspres/