SPECIALE: Shkenca në Superiore vjen me GPEXE-në

0

Ekskluzive / Futbolli i planifikuar, tashmë në kërkim të së përkryerës. Dy metoda novatore kanë monitoruar rreth 25 lojtarë të kampionatit shqiptar, duke servirur “grafi” surprizuese. Nga Lilaj te Karabeci, ja kush kryeson në parametra

Markoled Pashuku

I keni parë “jelekët” që mbajnë veshur yjet e futbollit në stërvitje apo ndeshje? Besojmë se po – e natyrshme – ashtu siç keni pyetur veten se përse shërbejnë dhe si funksionojnë ato. Veshja e pazakontë e pajisur me çip nuk do të përbëjë më një mister, sepse kjo praktikë tashmë është e pranishme edhe në vendin tonë. Gjatë Evropianit “Francë 2016”, kombëtarja shqiptare vuri në praktikë sistemin teknologjik GPEXE (sistem analitik GPS), që rezultoi i suksesshëm, duke sjellë metoda të përparuara në procesin e stërvitjes. Ky sistem siguron të dhëna të detajuara për çdo futbollist, me parametra të cilat llogariten në kohë reale dhe çdo trajner merr informacione të përpunuara për gjendjen e skuadrës së tij, pasi i transmeton ato me lehtësi në “USB”, kompjuter, “Tablet” apo celular inteligjent. Një praktikë e tillë, me të njëjtin sistem, përdoret në klube të njohura si Milan, Xhenoa, Uatford, Empoli dhe Lacio.

Me të analizuar çdo detaj nga skuadra e Xhani De Biazit, kjo metodë u bë e pranishme edhe në Kategorinë Superiore, ku gjatë dhjetë javëve të para të kampionatit deri tani janë monitoruar skuadra si Skënderbeu, Kukësi, Teuta dhe Luftëtari, teksa janë studiuar me përpikmëri rreth 25 futbollistë të pozicioneve të ndryshme. Ky sezon përbën një risi në Shqipëri, pasi përveç matjeve të para sjell edhe klubin e parë shqiptar që ka firmosur kontratën bashkëpunuese me GPEXE-n (do të bëhet i ditur në ditët në vijim). Njeriu i cili ka bërë të mundur implementimin e kësaj teknologjie në vendin tonë është Alvi Kallço. Ky trajner futbolli i licencuar në Australi ka një marrëveshje me kompaninë “EXELIO”, baza e këtij projekti, dhe është përfaqësues i saj në rajonin e Ballkanit.

12
Besar Musolli, me “jelekun” GPEXE duke u stërvitur te Kukësi

Informacionet

“Sport Ekspres” zbulon ekskluzivisht të dhënat e para të kësaj metode novatore, duke u bazuar tek informacionet e siguruara nga tekniku kryeqytetas, i cili u kujdes të jetë sa më diskret. Faktikisht, analizat e tij do të publikohen në disa numra të gazetës gjatë javëve të ardhshme. “Informacionet janë konfidenciale, sepse ne preferojmë t’i mbajmë në dispozicion të kompanisë dhe të klubit përkatës të interesuar”, – shprehet Kallço. Gjithsesi, ne do të krijojmë një ide se çfarë rezultatesh janë mësuar deri tani në Kategorinë Superiore. “Kjo metodë studion shumë parametra, por ne do të përqendrohemi te fuqia metabolike, eventet akseleruese e dekseleruese dhe distancat ekuivalente”, – shpjegon profesori, i cili bën edhe një krahasim me vendet fqinje. “Në analogji krahasuese me kampionatin maqedonas dhe atë malazez, mund të them se shihet një trend pozitiv në shumicën e lojtarëve të monitoruar si në ndeshjet zyrtare, ashtu edhe në të dhënat bazike të siguruara nga seancat e përditshme stërvitore”, – nënvizon ai. “I ngacmuar” për një krahasim me rreze edhe më të largët, Kallço pranon se aktualisht nuk jemi mirë: “Normalisht, nëse steka krahasuese do të shkonte më larg se vendet fqinje, si për shembull në Kroaci, rezultatet e ekipeve shqiptare lënë për të dëshiruar.”

aleksi2
Të dhënat e mesfushorit Albano Aleksi me metodën e hapësirës telemetrike

Hapësira telemetrike

Në Shqipëri është eksperimentuar gjithashtu implementimi teknologjik i metodës së hapësirës telemetrike të stadiumit, ku studiohet hapësira e përshkuar nga futbollisti i marrë në studim, zonat në të cilat ai vrapon më shumë, goditjet në portë (saktësia), pasimet (saktësia), etj. Kjo metodë është përdorur nga të gjitha skuadrat e Kategorisë Superiore. Në ndeshje të caktuara spikasin disa lojtarë si Kristal Abazaj i Luftëtarit, Donjet Shkodra i Flamurtarit dhe Faton Toski i Laçit. “Me këtë metodë, kam parë se për volumin e pasimeve të sakta kryesojnë Sabien Lilaj, Nuredin Orelesi, Erando Karabeci dhe Besar Musolli, të gjithë me mbi 59% saktësi në pasime. Gjithashtu vlen të përmendet forma e mirë e Kukësit, që reflektohet në goditjet në portë, dinamizmin vertikal dhe zotërimin e hapësirave në çdo repart”, – zbulon Kallço, i emocionuar për këtë fushatë studimesh që ka marrë përsipër të bëjë.

muca
Të dhënat e mbrojtësit Gentian Muça me metodën e sistemit GPS

Muça vs. Aleksi

Për demonstrim, “Sport Ekspres” ka marrë për bazë statistikat e dy futbollistëve në ndeshje specifike. Ata janë qendërmbrojtësi i Tiranës, Gentian Muça (ndeshja Tirana-Korabi 1-0), dhe mesfushori i Luftëtarit, Albano Aleksi (ndeshja Teuta-Luftëtari 2-0). Shtatlarti i bardhebluve ka kryer mbi 80 evente gjatë gjithë ndeshjes, ku nga të gjitha fashat dhe zonat të cilat vlejnë për t’u monitoruar janë vetëm 220 metra të përshkuara në shpejtësinë >23 km/h. Gjithsej, Muça ka përshkuar 10 km dhe – duke marrë parasysh pozicionin në të cilin luan – statistikat e tij ngjajnë mjaft interesante, sidomos kur shohim se shpejtësia maksimale e arritur shkon në 31,8 km/h. Ndërkohë, Aleksi ka përshkuar rreth 11 km dhe shpejtësia maksimale e tij ka qenë 29,41 km/h. Gjithsej, ai ka kryer volume të konsiderueshme në fazat e sulmit dhe ka qenë mjaft konservues në harxhimet anaerobike, deri në 28%, me 3,83kcal/kg.

aleksi
Të dhënat e mesfushorit Albano Aleksi me metodën e sistemit GPS

Trendet teknologjike si sistemi GPS, video-analizat de hapësira telemetrike, edhe pse me të dhëna konfidenciale, janë tashmë të implementuara dhe pritet të sjellin një pamje më të qartë monitoruese të stërvitjeve në shumicën e ekipeve shqiptare, të domosdoshme për t’u përshtatur me ritmin e kohës dhe për të arritur rezultatet e kërkuara. Futbolli gjithnjë e më shumë po humb elementin rastësi, pasi studimet parashikojnë pothuajse gjithçka që mund të ndodhë në fushë, kështu që metodat novatore duhet të gjithëpranohen edhe te ne. Puna e përditshme statistikore zhduk togfjalëshin “si të jetë e shkruar” dhe e zëvendëson me “le ta përmirësojmë”.


sajti
Sajti zyrtar i teknologjisë GPEXE

Çfarë është GPEXE?

GPEXE është një produkt i ideuar nga “EXELIO”, një kompani e specializuar në zhvillimin e zgjidhjeve teknologjike për sportin. Dy nga projektet e fundit të saj janë “Liza”, një aplikacion në “iPhone” që mat fuqinë e muskujve duke përdorur një akselerometër,  dhe “TeamPlus”, një aplikacion në ueb për menaxhimin e të dhënave të lidhura me stërvitjen dhe trajtimin mjekësor të atletëve. Në veçanti, kontribuues për zhvillimin e teknologjisë GPEXE janë Emanuele Paolini, Valerio Roberti dhe Marko Vetor.

 

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here