Speciale/ Në Itali i punësuan nga e keqja për Ronaldon, në Shqipëri duhen vetëm për Tiranën

Pak javë më parë në Seria A, zëvendësimi i Kristiano Ronaldos dhe gjithë shfryrja e nervave ndaj trajnerit Sarri, për të dytën herë radhazi, u kthye në kryeqendër të vëmendjes te Juventusi. Në Itali flitej vetëm për këtë rast.

Madje për ta bërë akoma edhe me enigmatik si episod, mendoi vetë portugezi që mërmëriti diçka pas zëvendësimit. Për të zbuluar të vërtetën dhe për t’ia treguar publikut, mediat italiane punësuan njerëz që ishin të aftë të deshifronin leximin e buzëve.

Prej andej u kuptua se kishte edhe një sharje të vogël nga Ronaldo, por në nerva e sipër. E për t’u kthyer te krahasimi ynë, një gjë e tillë mund të kërkohet edhe për mediat shqiptare. Këto të fundit kanë nevojë për persona të caktuar dhe me aftësi të mëdha në deshifrimin e fjalëve dhe kodeve, megjithëse në këtë rast me zë dhe figurë, për të kuptuar të vërtetën e madhe se çfarë nuk shkon te Tirana.

Sigurisht që është më shumë se e vështirë që të zbulohet e vërteta vetëm duke dëgjuar fjalët e trajnerëve. Si në rastin e Ahmataj, që doli hapur me një denoncim për presionin që i është bërë, por nga ana tjetër duke thënë se ndihej i tradhëtuar nga lojtarët dhe duke i komplimentuar ata. Pra shumë luhatje në fjalët që duan të përçojnë një mesazh, por që nuk vjen qartazi. Kjo jo vetëm me Ahmataj, por me gjithë trajnerët që kërkojnë të denoncojnë dicka për mënyrën sesi shkojnë gjërat në klub, por pa e prekur konkretisht. /Sport Ekspres/