Speciale | Formacioni i karrierës, Sulejman Mema “flet me zemër”

Sulejman Mema e “ngjyros” vetëm bardheblu skuadrën e tij më të mirë në karrierën si trajner në futbollin shqiptar. Edhe pse me pak hezitim, Mema i tha “po”  ftesës së SportEkspres.com për të ndarë me sportdashësit shqiptarë formacionin e tij të karrierës.

Duke qenë besnik në modulin e lojës 4-4-2, Mema nuk e diskuton që portieri më i mirë që ka drejtuar mbetet Blendi Nallbani, të cilin ai e vlerëson si më të mirin e asaj kohe. “Është një nga portierët më jetëgjatë në katërkëndorin e portës bardheblu, që e ka mbrojtur me shumë personalitet”.

Por edhe reparti i mbrojtjes mbetet bardheblu për Sulejman Memën, i cili edhe pse përmend shumë emra, në fund zgjedh Elvis Sinën, Nevil Deden, Krenar Alimehmetin dhe Ansi Agollin, të cilët i quan “diga” dhe “pistonë” që Tiranës i dhanë më të mirën. “Këta kanë qenë katër mbrojtës që jepnin siguri në këtë repart. Sina e Agolli si ‘pistonë’, ndërsa Dede me Alimehmetin si ‘diga’ për kundërshtarët”.

Në repartin e mesfushës Mema vendos emra futbollistësh që nuk mund të harrohen lehtë te Tirana. Vështirësia në përzgjedhje ishte e madhe, por veçon nga krahët Ardian Memën djathtas dhe Eldorado Merkoçin majtas, ndërsa në qendër të mesfushës për Sulejman Memën kanë spikatur më shumë në periudhën që ai ka drejtuar Tiranën, kryesisht Auron Miloti dhe Devi Muka. “Në këta katër mesfushorë ishte prezente eleganca, klasi dhe vizioni në organizim e finalizim. Ata janë veçuar edhe për kualitetin e tyre në futbollin shqiptar”.

Për dyshen e vijës së sulmit, Mema sjell dy emra të mëdhenj në futbollin shqiptar, Arben Mingën dhe Indrit Fortuzin, dy “ikona” bardheblu në këtë repart dhe në Kombëtare. “Ben Minga nuk mund të anashkalohet për gjithçka që ai ka lënë në futbollin shqiptar, e kryesisht te Tirana. Edhe Fortuzi mbetet i tillë. Të dy golashënues, të cilët skuadrat i motivonin shumë në rezultatet pozitive. Ishin sulmues race, që sot në futbollin shqiptar ende nuk po duken”.

KARRIERA – Sulejman Mema gjithë karrierën e tij e ka kaluar te Tirana, fillimisht si futbollist dhe më pas si trajner, por këtu ka “tradhtuar” ngjyrat bardheblu në sezonet 2003-2005 kur drejtoi Partizanin. I lindur më 17 nëntor të vitit 1955, Sula ishte 19 vjeç kur debutoi në elitë me 17 Nëntorin në vitin 1974, për të vazhduar në 12 sezone bardheblu. Gjithashtu ka veshur edhe fanellën e kombëtares.

Në këtë karrierë si trajner, Sulejman Mema ka fituar 2 Kampionate, 3 Kupa të Shqipërisë dhe 3 Superkupa, pasi ka drejtuar skuadra si Tirana e Partizani. Shkëputjet e tij nga pankina ishin pasi drejtoi për disa vite sektorin e garave në FSHF, ndërsa pas sezonit 2008-2009 ka drejtuar Shkollën e Mjeshtërisë Sportive dhe aktualisht është skaut i moshave në të gjithë Europën.

IDEUAN DHE PËRGATITËN: Vladimir Prenga, Agron Kaja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *