Speciale | Formacioni i karrierës, Muça “bardheblu” dhe dy të huaj klasi

Për Shkëlqim Muçën trajner në ekipet e elitës në futbollin shqiptar, karriera e tij ka qenë e shoqëruar edhe me tituj e trofe. Ftesës së SportEkspres.com për tu sjellë lexuesve tanë  formacionin me lojtarët më të mirë që ai ka drejtuar, iu përgjigj me gatishmëri dhe interes.

Kështu, moduli më i mirë për Muçën në këtë përzgjedhje është 1-4-4-2, duke e nisur me portierin më të mirë, ku ai vendos Blendi Nallbanin, një legjendë në katërkëndorin bardheblu. “Nallbani ka qenë një nga portierët më të mirë të kohës dhe mbetet një nga më të mëdhenjtë në futbollin shqiptar”, është kjo konsiderata për Blendi Nallbanin, ndërkohë që reparti i mbrojtjes më shumë dominohet nga bardheblutë.

Elvis Sina është mbrojtësi i djathtë më i mirë në karrierën e Muçës trajner, në qendër të mbrojtjes veçon Nevil Deden e Saimir Malkon, ndërsa në krahun e majtë Gledi Micin. “Të katërt janë ndër mbrojtësit më të mirë që kanë luajtur në futbollin shqiptar, me karakteristika të ndryshme mes tyre, por lider në skuadra”.

Ndërsa mesfusha e Muçës përbëhet nga lojtarë të fortë, virtuozë dhe elegantë, duke nisur me Sokol Prengën, Ardian Memën, Ervin Bulkun dhe hungarezin Zoltan Kenesei, të cilin njëherësh e quan edhe lojtarin e huaj më të mirë që ka trajnuar në karrierën e tij si trajner. “Prenga kishte si armë goditjet standarde, Mema liderin në këtë repart. Bulku vizionin dhe Kenesei bukurinë dhe elegancën në veprimet me topin”. Të gjithë këta mesfushorë janë veçuar për cilësitë dhe për kualitetet që kanë pasur dhe për atë që kanë dhënë në futbollin shqiptar.

Për sulmuesit më të mirë, Shkëlqim Muça nuk ndahet nga bardheblutë, teksa vendos së pari “Zogun”, Indrit Fortuzin, së bashku me kroatin Pero Pejiç. “Të dy janë sulmuesit që kanë dominuar në kohën kur ata kanë luajtur. Janë të dy kryegolashënues, të cilët kanë bërë diferencën jo vetëm me golat e shënuar, por edhe me shërbimet që u kanë ofruar skuadrave në fushën e lojës”.

KARRIERA – Hapat e parë në karrierën e Shkëlqim Muçës si futbollist nisin me ish-17 Nëntorin e Tiranës. Një jetë bardheblu, e nisur si 18-vjeçar te Tirana në vitin 1978. I lindur më 19 maj 1960, Muça shkëlqeu në 11 sezone te bardehblutë dhe në Kombëtaren tonë, por një karrierë që u mbyll shumë shpejt, për shkak të dëmtimit që e largoi nga fusha e lojës në moshën 31-vjeçare.

Më pas, ai nisi karrierën si trajner pikërisht me Tiranën në vitin 1994. Në drejtimin e bardhebluvë ka fituar kampionate, Kupa e Superkupa. Në Shqipëri Muça ka drejtuar skuadra si Tirana, Teuta, Besa, Dinamo, Skënderbeu, Flamurtari, Kukësi, teksa ka fituar 4 tituj kampionë, 3 Kupa të Shqipërisë dhe 2 Superkupa. Duke qenë aktualisht një trajner në treg, Muça nuk është jashtë futbollit, pasi ka disa vite që kontribuon me komente dhe analiza në RTSH, ndërkohë që edhe drejton Klubin Shumësportësh “Partizani”.

IDEUAN DHE PËRGATITËN: Vladimir Prenga, Agron Kaja

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *